Të huajt e ardhur si turistë në Shqipëri kanë shtuar kërkesën për bulmet, por në vend të qumështit vendas po u japim atë nga Serbia, Italia e Greqia.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se sasia totale e qumështit të grumbulluar vjet u rrit në mbi 1 milionë tonë, 60 mijë më tepër se në 2024-n por kjo kryesisht nga zgjerimi i importeve.
Pedagogu Ndoc Faslia u shpreh për A2CNN: “Dy janë arsyet kryesore. Së pari, largimi i banorëve nga fshati, së dyti është falimentimi i disa komplekseve blegtorale në Shqipëri”.
Brenda vendit, nga mbi 1 milionë tonë në 2021-shin, vjet u grumbullua një sasi prej më pak se 876 tonësh qumësht. Gati 130 mijë tonë më pak në harkun e 5 viteve.
Donjaldo Hoxha, ekspert i sektorit, thekson: “Kjo rënie është alarmante. Shkaqet kryesore janë mungesa e subvencioneve të qëndrueshme, çmimet e ulëta të qumështit në treg dhe migrimi i të rinjve nga fshati. Pa masa të menjëhershme, blegtoria shqiptare do të vazhdojë të dobësohet”.
Nga mbi 337 mijë në 2021-shin, vitin e shkuar në vend pati më pak se 275 mijë gjedhë. Mbi 62 mijë gjedhë më pak në harkun e 5 viteve.
“Kjo krizë nuk prek vetëm ekonominë, kuferi bujqësor i familjeve po shkatërrohet. Një numër i madh familjesh rurale që varen direkt nga blegtoria dhe qumështi për të mbijetuar, sot po përballen me varfëri dhe pasiguri ekonomike”, deklaron Faslia.
Në këtë heshtje të fushave, ku fshatrat po kërkojnë dritën e rilindjes së vërtetë, që tejkalon fjalët dhe premtimet, ngrihet nevoja për një ringjallje që t’i rikthejë gjallërinë tokës dhe njerëzve që i kanë dhënë jetë për shekuj me radhë.
Donjaldo Hoxha shprehet: “Në thelb, blegtoria dhe prodhimi i qumështit janë sot një pasqyrë e sfidave më të gjera sociale dhe ekonomike që përballen fshatrat shqiptare, një thirrje për një rilindje të vërtetë, që të rikthejë “dritën e mëngjesit” dhe gjallërinë në fushat e Shqipërisë, si në poezinë e Naimit”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se 42 për qind e blegtorisë shqiptare përbëhet nga gjedhët, pasur nga të imtat dhe njëthundrakët. (A2 Televizion)