Kosova ka bërë dhe përpjekjen e fundit për të bindur Këshillin e Europës që të mos shtyjë procesin e anëtarësimit. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të organizatës së rëndësishme, duke nënvizuar qartë angazhimin e Prishtinës, për të nisur me formimin e asociacionit brenda muajit mMaj.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Europës”, lexohet në njoftimin e Gërvallës.
Ministrja thotë se me këtë, qeveria e Kosovës ka bërë një hap të prekshëm në përmbushjen e zotimeve dhe kërkon që votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës të bëhet dhe jo të shtyhet.
Letra e plotë
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Europës.
Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet jo shumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.
Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.
Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Europës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Europës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.
Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. (A2 Televizion)