Blindohet Kosova, ndahen 208 milionë euro buxhet për ushtrinë

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2024, 20:13 | Politikë

Qeveria e Kosovës në buxhetin për vitin e ardhshëm ka parashikuar rreth 208 milionë euro për ushtrinë, ose 2% të Bruto Produktit Vendor duke u përafruar me standardin e NATO-s.

Ministria e Mbrojtjes thotë se ky buxhet do t’i mundësoje asaj më shumë investime në ushtri dhe në këtë mënyrë do të ndikojë në fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Rritja e dukshme e buxhetit dhe investimi në resurse humane, përgatitje të personelit ushtarak dhe ngritje të kapaciteteve operacionale përmes investimit në armatime, është tregues i qartë që ky sektor ka vëmendjen e duhur dhe do të fuqizohet në vazhdimësi, jo vetëm për të mbrojtur shtetin por dhe për të kontribuar në çdo operacion ndërkombëtar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes”, informon Ministria e Mbrojtjes.

Përpos buxhetit të rregullt apo donacioneve nga shtete të ndryshme, ushtria e Kosovës financohet edhe nga Fondi i Sigurisë i hapur më 2022. Ky fond është i klasifikuar si sekret shtetëror dhe vlera e grumbulluar nuk është bërë asnjëherë publike. 

Aty kanë të drejtë të kontribuojnë donatorë dhe qytetarë të ndryshëm përmes një llogarie bankare.

Mburrjet e Qeverisë për investimet në mbrojtje i hedh poshtë Partia Demokratike e cila konsideron se ky është një buxhet për mbijetesë dhe jo për rritjen e mëtejshme të Forcës.

“Forca është një kategori shtetërore që e ka peshën kyçe në shtet, është pasaporta e shtetësisë, dhe çdo lënie anash, çdo dobësim i segmenteve të caktuara brenda saj, qoftë logjisitiko-operacionale, personal në organizime krijon pasiguri tek qytetarët dhe krijon pasqyrë të keqe të vendit sa i përket sigurisë së brendshme”, u shpreh deputeti Berisha.

Ish-ushtaraku Berisha thotë se edhe dronët që janë blerë janë të një teknologjie më të vjetër, ndërsa thotë se blerja e kapaciteteve të reja nuk është meritë e kësaj qeverie por kështu është paraparë me planin 10-vjeçar të tranzicionit.

“Çështjet e ngritjes së kapaciteteve mbrojtjes dhe të sigurisë, armatimeve, teknologjisë, etj., duhet të mbulohen me një buxhet që është jashtë këtij që është zyrtar. Çdo blerje, çdo avancim teknologjik, rekrutim, është plan, nuk mund të mburret as kjo qeveri dhe asnjë qeveri se unë e solla e ushtrinë deri tek dronët apo nesër blindet, artileria, këto janë planifikim ekzakt”, shtoi Berisha.

Buxheti i ri për vitin 2025 pritet të miratohet ditën e hënë në Kuvendin e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos