Mes përpjekjeve të pandalura të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, që kanë zbehur ndjeshëm shpresat për përparim në dialog, i papritur vjen njoftimi për një takim të ri mes liderëve të të dyja vendeve, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano konfirmoi se raundi i ri i dialogut në nivel të lartë, do të mbahet në 26 qershor. Ai nuk dha detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vucic, por pritshmëritë janë që bisedimet të fokusohen tek zbatimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Takimi do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak. Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave. Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, por nuk pati ndonjë përparim ne bisedime, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve. (A2 Televizion)