Dialogu Prishtinë-Beograd, larg marrëveshjes finale, kërkohet kushtëzimi i Serbisë

Nga Ideal Gola
22 Janar 2024, 20:23 | Politikë

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk pritet të prodhojë ndonjë marrëveshje finale së shpejti.  Viti 2024 nisi me largimin e ngjitësve nga targat e automjeteve dhe faturimin e energjisë për qytetarët në komunat veriore, por tashmë kërkohet nga pala serbe njohjen de facto të Kosovës. Njohësit e procesit thonë se zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe asaj të Zbatimit në Ohër është e rëndësishme për rrugën përpara. 

“Gjashtëmujori i këtij viti është krucial për të ardhmen e dialogut, ose me thënë qartë, është vendimtar. Natyrisht se Serbia që tashmë e ka obligim njohjen de facto në raport me Kosovën, se këtë e kanë kërkuar edhe shefat kryesore të BE, siç ishte kancelari gjerman, presidenti francez dhe kryeministrja italiane në takimin e fundit në Bruksel”, shprehet analisti Gazmir Raci.

Me zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, opozita në Prishtinë nuk pret ndryshim të qëndrimit dhe të kërkesave ndaj palëve në dialog edhe në rast se ka ndryshim emrash në lidershipin e këtyre vendeve. 

“Kushdo që mendon se ndryshimi apo zëvendësimi i njërit ndërmjetësues me tjetrin (sjell ndryshime në dialog) është krejtësisht në lajthitje sepse nuk ndodh asgjë”, thotë Xhavit Haliti i PDK.

Kushtëzimi iS erbisë me rezultatet në dialog shihet si mundësi për të arritur ndonjë përparim, edhe pse kryeministrja Ana Bërnabiç përmes një letre ka thënë se nuk do të njohin të gjitha pikat e Marrëveshjes së Ohrit. 

“Serbia është dekonstruktive gjithmonë dhe gjithmonë krijon probleme dhe telashe në kuptim të zbatimit të obligimeve që i merr në dialog, mirëpo nëse Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE atëherë e ka kusht dialogun dhe normalizimin e raporteve me Kosovën”, thekson analisti Raci.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia deri më tani kanë arritur mbi 30 marrëveshje, përfshirë marrëveshjet e ri negociuara dhe planet e zbatimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos