Kurti nga Samiti i Shkupit: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së!

Nga A2 CNN
22 Janar 2024, 10:43 | Politikë

Kurti nga Samiti i Shkupit: Plani i rritjes ekonomike përshpejton

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Shkupi, ku ka thënë se, vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.

Ai i ka bërë këto deklarata në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që do të mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas Kurtit është "edhe qëllimi, edhe fati ynë".

Sipas tij, ky është një takim shumë i rëndësishëm, i cili do të mundësojë të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian.

“Në këtë mbledhje, 6 shtete të Ballkanit Perëndimorë e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma te ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërsa në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative”, tha Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos