Atë që nuk po bën të mundur Bashkimi Europian, e bëri Forumi Ekonomik Davos. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bënë bashkë në një tryezë për të folur për dialogun e diplomacisë së Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtin panel ishin dhe liderë të tjerë të rajonit dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
“Kënaqësi të isha pjesë e panelit në Forumin Ekonomik Botëror për të diskutuar dialogun e diplomacisë së Ballkanit Perëndimor me Ursula von der Leyen dhe persona të njohur nga rajoni e më gjerë. Siguria gjeopolitike e rajonit tonë është thelbësore për sigurinë europiane, prandaj tema është e një rëndësie të madhe”, tha Kurti.
Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kurti ka pasur takime të ndara me personalitete të ndryshme botërore. Të martën, ai ka takuar ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për aktualitetin në vend e rajon.
“SHBA-ja është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm”, shkroi Kurti.
Në fillim të punimeve në Davos, Kurti ka theksuar se prioritet i takimeve bilaterale do të jetë siguria e Kosovës dhe mosshkelja e marrëveshjeve nga ana e Beogradit.
Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zhvilloi një bisedë me ndërmjetësuesin europian, Miroslav Lajçak, në Davos: “Bisedë e hapur me Miroslav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe Metohi dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit”.
Ai përsëriti akuzat e zakonshme në adresë të Kurtit se po kërkon të bllokojë dialogun dhe të dëbojë serbët nga Kosova, por pa ofruar ndonjë fakt konkret për këtë. Vetë Lajçaku ka thënë pas takimit se me Presidentin serb ka diskutuar për çështje urgjente. (A2 Televizion)