Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj krijuan një koalicion parazgjedhor. Të dy partitë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të garojnë në një listë dhe do t’ju ofrohen qytetarëve një program të përbashkët qeverisës.
Haradinaj u shpreh se nevoja për koalicion rrodhi pas gjendjes së rëndë në të cilën po kalojnë qytetarët e Kosovës.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK, u shpreh: “Ne së bashku në diskutimet tona të gjata e që janë disamujore kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar, është lënë vetëm, e në raste të caktuara edhe i luftuar prej atyre që është dashur të përkujdesen për ta, në këtë rast i lufutar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri Kurti”.
Limaj deklaroi se do të mbrojnë karakterin unitar të shtetit dhe do t’i japin fund logjikës që nxit konfliktet brenda shoqërisë kosovare: “Një bashkim që ka për objektiv për të ulur polarizimet e shoqërisë kosovare, një bashkim i cili vjen me alternativa e në ato alternativa, aksione, kanë vetëm një objektiv për të prodhuar të mirën për vendin dhe në ato të mira me qenë pjesëmarrrës të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Haradinaj dhe Limaj u shprehën të hapur për bashkëpunim pa kushte me partitë më të mëdha parlamentare opozitare, PDK dhe LDK.
“Ju siguroj që kolegët opozitarë, në këtë rast, PDK dhe LDK dëshirojnë të bashkëpunojnë, të kriojojnë një bashkim politik opozitar, me dhënë një opsion qeverisës vendit, nuk do të kërkoj asnjë kusht, nu kdo t'jku paraqes asnjë kusht, por do ta mbështesim bashkimin”, tha Haradinaj.
“Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për një front të tillë, për një bashkim të tillë, dhe ky është vetëm fillimi i atij bashkimi. Po hapet një derë për të gjithë ata që janë të interesuar për të fuqizuar këtë bashkim dhe këtë alternativë të re e cila besoj unë do t'i japë krejt një energji e dinamikë të re skenës politike në Kosovë”, deklaroi Limaj.
Në deklaratën politike që firmosën Haradinaj e Limaj janë renditur 18 objektiva me të cilën do të kërkojnë votën e qytetarëve të Kosovës. (A2 Televizion)