Në dy prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, atë të Mitrovicës së Veriut dhe në Leposaviq ka nisur mbledhja e firmave për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, respektivisht Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi që dolën nga zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar.
Sipas udhëzimit administrativ, në mënyrë që procesi të konsiderohet i vlefshëm duhet që peticionin ta nënshkruajnë 20% e votuesve të regjistruar në komunat përkatëse.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Mitrovicën e Veriut nevojiten 3640 firma, ndërsa në Leposaviq 2689.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka bërë të ditur se afati për mbledhjen e nënshkrimeve skadon më 22 janar. Sipas udhëzimit, afati mund të shtyhet vetëm një herë deri në 15 ditë.
Serbët në Veri janë mobilizuar përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke bërë thirrje që të nënshkruhet peticioni. Paraditen e sotme, atë e kanë nënshkruar edhe zyrtarë tëL istës Serbe, partia e cila bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023. (A2 Televizion)