Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në Prishtinë homologun e tij nga Irlanda, Leo Varadkar, me nderime të larta. Gjatë takimit, të mbajtur në sallën e mbledhjeve të qeverisë, shefi i kabinetit kërkoi mbështetje për të çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe nga Brukseli që të ndëshkohet Serbia për shkeljet e shumta ndaj marrëveshjes së normalizimit. Gjithashtu i tregoi dhe për sfidën e madhe të sigurisë që vjen nga kërcënimi serb.
Nga ana tjetër, kryeministri irlandez kërkoi që asociacioni të formohet, duke nënvizuar se nuk do të jetë një shtet brenda Kosovës.
“Qëndrimi i Qeverisë së Irlandës është se besojmë që masat kufizuese që janë vënë mbi Kosovën duhet të hiqen, ky është qëndrimi që ia kam shprehur kryeministrit edhe e kam thënë zyrtarisht. Është me rëndësi që kryetarët e komunave të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të përfaqësojnë njerëzit që jetojnë në ato komuna. Dua të shoh Asociacionin e komunave me shumicë serbe të themelohet dhe kjo duhet të bëhet në koordinim të atyre zonave. Nuk dua të shoh që të ketë një farë mikro-shteti që të bëhet brenda Kosovës, kjo nuk do të jetë diçka që do të jetë e dobishme për të ardhmen” u shpreh Leo Varadkar, kryeministër i Irlandës.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryeministri irlandez u takua dhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. (A2 Televizion)