“Serbia po vijon rrugëtimin drejt metodave të presidentit rus Vladimir Putin”. Kjo është akuza që ngriti kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjet së parë të qeverisë për këtë vit, duke paralajmëruar se diçka e tillë rrezikon jo vetëm Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, por edhe qytetarët e vet.
Ai iu referua rastit të rrahjes së politikanit serb Nikolla Sandulloviq pasi u përkul në varrin e Blerina Jasharit, e vrarë nga forcat serbe.
“Trajtimi i Nikola Sanduloviç nga Agjencioni i Sigurisë dhe informacionet e Serbisë flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetës. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet antidemokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje. Vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlen Konventa për mbrojtjen e te drejtave të njeriut dhe pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizimi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiç. Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi”, tha Kurti.
Kurti përmendi gjithashtu arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës pasi kaluan kufirin në pikën e Mërdarës. Ai e cilësoi këtë të padrejtë dhe dashakeqe.
“Javën e kaluar, dy qytetar të Republikës së Kosovës Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar, kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe 2 qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj”, shtoi ai.
Kurti e akuzoi Serbinë gjithashtu se nuk po e respekton Marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, e cila u arrit në fillim të vitit të kaluar. (A2 Televizion)