Mundësia e lëvizjes së lirë për shtetasit kosovarë ka shqetësuar kompanitë të cilët i druhen largimit të kuadrove të punës. Këtë e pranon zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, e cila për A2 CNN deklaron se sipërmarrësit duhet të reflektojnë për të përmirësuar kushtet për punëtorët.
“Ndoshta ndërmarrësi, i cili paksa i frikësohet kësaj pjese është koha të reflektojë sepse sot për të pasur një ndërmarrje të suksesshëm nuk mjafton vetëm të menaxhosh 'top-doën' por po flasim për një gjeneratë e cila ka kërkesë ndryshe. Po flasim për një gjeneratë post-pandemike, e cila e sheh jetën mes punës dhe aspektit social shumë të balancuar”, shprehet Gashi.
Gashi thotë se liberalizimi i vizave i jep mundësinë qytetarëve që të marrin përvojat më të mira nga vendet evropiane në sektorë të ndryshëm, ndërsa nuk duhet të ngatërrohet me punësimin. Megjithatë, ajo që sjell vazhdimisht të ardhura është diaspora. Për periudhën Janar-Nëntor të vitit 2023 remitencat shënuan 1.2 miliard euro, ose10% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Por që fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e këtyre të ardhurave përfundojnë jashtë kufijve të Kosovës.
“Një pjesë e madhe shkon në konsum dhe fatkeqësisht kur kemi deficitin tregtar eksport-import është një pjesë e madhe e prodhimtarisë që është jashtë, ne e importojmë, kështu që medoemos edhe del jashtë”, tha zëvendësministrja.
Qeveria synon rikanalizimin e remitencës, potencialisht në investime të vogla familjare.
“Ne si Republikë e Kosovës vazhdimisht e kemi sugjeruar mërgatën tonë t'i shohin sferat e tjera të investimit, ka formë të ndryshme, p.sh. është blerja e letrave me vlerë, të cilin për çdo vit e bën thirrje Ministria e Financave, është mekanizmi i Fondit Sovran që pritet në momentin kur të fillojë funksionalizimi i Fondit, është qasja në Fondin Sovran, në këtë drejtim ka forma për investim në prodhimtari, ose bashkëinvestim, të qenit hisedar i një ndërmarrjes në Kosovë”, tha Gashi.
Kosova, pjesën më të madhe të diasporës, e ka të përqendruar në Gjermani dhe Zvicër. (A2 Televizion)