SHBA: Dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet në 2024-n me njohje reciproke

Nga Xhevahir Qardaku
29 Dhjetor 2023, 14:03 | Politikë

Shtetet e Bashkuara presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet me njohje reciproke gjatë vitit 2024. Kjo është konfirmuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë mesazhit për festat e fundvitit. Diplomati i presidentit Biden risolli në vëmendje marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit duke bërë thirrje për implementimin e plotë të tyre.

“Në vitin 2024, shpresojmë të shohim përparim të vërtetë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë.

Në mesazhin e tij, ambasadori amerikan thotë se gjatë vitit 2023 Kosova dhe Shtetet e Bashkuara përjetuan së bashku momente të vështira, ndërsa nënvizon se partneriteti dhe miqësia mes vendeve mbeten shumë të forta. Hovenier mes tjerash përmendi disa prej sukseseve të arritura me qeverinë e Albin Kurtit dhe shtyrjen përpara të tri qëllimeve kryesore të Uashingtonit për Kosovën si avancimi në integrimet euroatlantike, përforcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos