Me anë të një postimi në Facebook, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pasi Serbia mori vendim për njohjen e targave RKS. Ai shkruan se ky është një maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë.
Bislimi shkruan më tej se “çështja e targave mbi 10 vite ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vite marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”.
Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë”, shkruan zëvendëskryeministri i Kosovës.
Ai tha se “më 30 shtator, u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike, dhe u zhvilluan gjithsej 8 takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022”.
“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”. (A2 Televizion)