A do jetë 2024 viti i marrëveshjes? Tahiri i AAK: Kurti tradhtoi kauzat e veta, dialogu në dorë të Brukselit

Nga Tomorr Avdia
5 Janar 2024, 14:33 | Politikë

Viti që sapo ka filluar është edhe viti i sfidave të mëdha të qeverisë Kurti. Dy janë kauzat e mëdha të Kurtit para se të vinte në pushtet, jo dialog dhe vetëm vetëvendosje.

Por sipas kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së në Kosovë, Besnik Tahiri, të dyja këto teza i kanë rënë. Në një intervistë për gazetarin e A2CNN në Prishtinë, Tomor Avdia, ai është shprehur se dialogu po zvarritet dhe po bëhet ashtu siç nuk donte Kurti, ndërsa qeverisja është zhvendosur në Bruksel.

Kryeministri Kurti erdhi në pushtet me dy kauza të mëdha. Jo negociata dhe vetëvendosje. Ajo që ndodhi në këto tre vitesh është se ai asgjë tjetër nuk bëri veçse u morr me negociata. Pra kauza jo negociata ra e tëra poshtë dhe kauza e dytë vetëvendosje, u pa qartë, se për çështje tepër të brendshme vendimmarrjen e transferoi në Bruksel dhe e dëmtoi Kosovën.

Sa i përket pritshmërive për vitin 2024 në politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, ai tha se “kurrë nuk kanë qenë raportet e Kosovës më të acaruara dhe të dobëta me BE-në, se tani”, kur është vendosur nën sanksione.

Kosova në raport me politikën e vetë të jashtme është në pikën zero. Qëndrimet e kryeministrit Kurti në vitin 2023 karshi administratës amerikane ishin tepër joserioze. Kosova duhet të ketë një pozicion të qartë. Në momente të caktuara Kurti thoshte se unë do ta nënshkruaj menjëherë Asociacionin në Bruksel nëse e nënshkruan Vuçiçi, që do të thotë e ka pranuar atë. Pastaj lëvizi prej pozicionit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, në pozicione të paqëndrueshme për Kosovën në rrafshin diplomatik. Ajo që shihet është se dialogu është bërë një pengesë serioze e rrugëtimit të Kosovës drejt proceseve të rëndësishme, për shkak se shumica e kohës, është duke u konsumuar, duke u marrë me negociata dhe dialog. Ne shohim një jo seriozitet nga ana e qeverisë në raport me këtë proces dhe po ashtu shohim një palë tepër destruktive, armiqësore nga Beogradi, e udhëhequr nga Presidenti Vuçiç karshi Kosovës. Sulmi terrorist i 24 shtatorit, që la të vdekur heroin  e kombit Afrim Bunjaku, tregon që është tepër e rëndësishme që të ketë një mobilizim dhe ti thuhet qartë Serbisë, që është sateliti i fundit i Rusisë, që nuk mund të ketë aspirata mbi Kosovën, ndërsa në anën tjetër Kosova të ketë aspirim të qartë anëtarësimin në NATO."

I pyetur nëse ka shanse që dialogu Prishtinë-Beograd të finalizohet me një marrëveshje që do të pranohet nga të dy palët, Tahiri tha se situata është jo e favorshme për një arritje të tillë.

Rrethanat politike në Kosovë dhe rajon janë pak a shumë jo stabile. Në Serbi ende nuk është formuar qeveria dhe në prill do të ketë zgjedhje lokale. Zgjedhje do të ketë edhe për Parlamentin Europian në qershor, sikurse në fund të vitit edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është vit zgjedhor sepse zgjedhjet e rregullta do të shpallen 4 ose 6 muaj përpara dhe partitë politike do të punojnë. Krejt  këto rrethana e bien Kosovën në një situata jo fort të favorshme në aspektin diplomatik, por edhe në situatën ku nuk do të ketë firmosje." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos