Dialogu pa shteg dhe hija e luftës mbi Kosovë

Nga Rosalba Bejdo
2 Janar 2024, 14:00 | Aktualitet

Arritja e një marrëveshje për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të vitit, sinjalizoi hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve; me dialogun që për herë të parë në shumë kohë u zhvendos nga menaxhimi i krizave. Por ai që u duk të ishte një vit premtues, rrezikoi shpejt të kthehej në një skenar ferri për Kosovën dhe të gjithë Ballkanin, me luftën që u shpërfaq e kthjellët në horizont.

Kosova e gjeti veten të ndarë mes vendosmërisë për t’iu kundërvënë ambicieve keqdashëse të Serbisë dhe presionit ndërkombëtar për të bërë kompromis në emër të paqes dhe së ardhmes Europiane. Pas një viti tensionesh, ku përplasjet për çështjen e targave në veriun e Kosovës, e çuan në udhëkryq, dialogun e po ashtu durimin e Bashkimit Europian, diplomacia në Bruksel po punonte për një takim të ri mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, ku për herë të parë do të ishte në tryezë një marrëveshje bazë për normalizim të raporteve. Fillimisht i quajtur plani franko-gjerman, e më pas europian, ai u ishte paraqitur palëve që në mesin e vitit 2022, por mbeti në hije për shkak të trazirave që shpërthyen në veri pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për riregjistrim të automjeteve me targa të Serbisë. Marrëveshja me 11 nene, e cila nuk përfshinte njohjen e ndërsjellë por që sipas kryeministrit Kurti e nënkuptonte, parashikonte angazhimin e palëve për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese, marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të simboleve kombëtare, dhe respektim të sovranitetit, respektim të marrëveshjeve të mëparshme, dhe sigurimi i një niveli vetëmenaxhimi për serbët e Kosovës.

U desh që diplomacia ndërkombëtare të vinte në punë motorët me fuqi të plotë, duke vënë në tryezë si asnjëherë më parë kartën e presionit, për të bindur palët të pranonin, atë e cilësuan si një ofertë të fundit, të tipit, merre ose lëre.

Presidenti Vuçiç, i cili në Bruksel luante rolin e njeriut te moderuar, e palës viktimë të përkushtuar për bashkëpunim, në diskurset publike në Beograd, ashpërsonte tonet dhe zotohej se nuk do të pranonte asgjë që nënkuptonte dorëzim të Kosovës. Përveç njohjes, edhe de facto, vija e kuqe për të ishte lejimi I anëtarësimit të Kosovës në OKB, diçka e parashikuar në nenin 5 që kërkonte mos pengim të anëtarësimit të vendit në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Përballë trysnisë në rritje të perëndimit, që kishte blinduar radhët duke përfshirë në ekipin e diplomacisë fluturuese, edhe të dërguar të Francës, Gjermanisë e Italisë, përveç atyre të BE dhe SHBA, presidenti serb u duk se u dorëzua.

Tashmë nën një frymë disfatiste, për të justifikuar atë që e quajti vendimin më të vështirë të jetës politike, Vuçiç u tha serbëve se ishte i detyruar ta pranonte propozimin, ose në të kundërtën vendi do të përballej me ndëshkime të rënda.

“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast të mospranimit Serbia do të përballet me ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve si dhe me masa gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike”, deklaroi Vuçiç më 24 janar të 2023.

Me masat ndëshkimore që BE kishte paralajmëruar të vendoste ndaj palëve në rast refuzimi, u përpoq të justifikonte kryeministri Albin Kurti, atë u pa si një hapje ndaj temës tabu, e që ishte krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Një hijë që e ndjek Kosovën që prej vitit 2013, kur është arritur marrëveshja fillestare për themelimin e tij, po që më pas u vu në dyshim nga Gjykata Kushtetuese, Asociacioni është dërrasa e kalbur ku shkel dhe pengohet dialogu.

Përballë akuzave të opozitës që e akuzonte për pranim të Zajednicës, Kurti zotohej se do t’i qëndronte besnik refuzimit të kahershëm për një tjetër Republikë Serbe si ajo e Bosnje-Hercegovinës në Kosovë. Vizioni i pranuar prej tij, do të ishte vetëm ai i paraqitur në një propozim me 6 pika për BE.

“1.    Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

2.    Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik e nuk mund të bartë asnjë pushtet publik.

3.     Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve.

4.    Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri duhet të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5.    Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke

6.    Serbia duhet të tërheqë kërkesën për pesë shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”, deklaroi Kurti.

Teksa BE kishte paralajmëruar dakordësi, bisedimet maratonë të 27 shkurtit nuk prodhuan tymin e bardhë të pritshëm, por megjithatë nuk ishte as i zi. Mesazhet ishin konfuze, me Brukselin që foli për pranim të propozimit nga palët, Kurtin që akuzoi Vuçiç për refuzim të nënshkrimit të ujdisë dhe Vuçiç që tha se pala kosovare kundërshtonte asociacionin.

“Jam i lumtur të njoftoj se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan sot dhe nuk do të nevojiten diskutime të mëtejshme për propozimin e BE”, deklaroi Joseph Borrell.

 “Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk pranoi ta nënshkruante”, u shpreh Kurti.

“Nuk mendoj se zoti Kurti ishte gati për këtë tani. Nëse do të jetë në të ardhmen, do të shohim”, u shpreh presidenti Vuçiç.

Palët nuk kishin rënë dakord mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes, një udhërrëfyes që detajonte mënyrën se si do të viheshin në jetë angazhimet e parashtruara në ujdi. Serbia kërkonte që zbatimi të niste me krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova këmbëngulte që marrëveshja të zbatohej në tërësi, duke nisur nga ujditë e darkordësuara në të kaluarën e që ishin shpërfillur nga Serbia, përfshirë për personat e pagjetur.

“Cilat ishin arsyet kryesore për mungesën e një dakordësie për aneksin e zbatimit në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, kur u fol për pranim të propozimit nga palët? Çfarë u tha, apo çfarë kërkuan palët në ato takime lidhur më zbatimin e Asociacionit por edhe çështjen më të kontestuar për Serbinë, atë të mospengimit të anëtarësimit të Kosovës në OKB?”

Ajo që nuk u arrit në Bruksel u shpresua të finalizohej në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut. E megjithatë pritshmëritë për sukses ishin zbehur nga deklaratat e presidentit serb që kishte thënë se nuk do të firmoste asgjë në Ohër, dhe i mëshonte Asociacionit si kusht për çdo marrëveshje.

Kurti nga ana tjetër këmbëngulte në zbatimin e marrëveshjes si të tërë duke kundërshtuar shndërrimin e asociacionit në gur themel të ujdisë. Bisedimet maratonë nuk prodhuan as këtë herë një firme, çka ja zbehu besueshmërinë dakordësisë që palët njoftuan se kishin arritur mbi aneksin e zbatimit. Variantet kontradiktore që dhanë Kurti e Vuçiç për marrëveshjen pa firmë, hodhën edhe më shumë hijet e dyshimit mbi suksesin e saj.

BE u mundua ta përligjte atë që cilësoi si një arritje të rëndësishme, duke e përkufizuar ujdinë si të detyrueshme dhe duke e lidhur zbatimin me rrugën drejt integrimit të të dyja vendeve. Por pyetje që ngrihej ishte, a do të mjaftonte kjo?

“Është e debatueshme nëse ujdia është ligjërisht e detyrueshme, pasi Serbia thotë se nuk janë. E megjithatë meqenëse BE e kushtëzon atë me anëtarësimin ajo bëhet de fakto e detyrueshme,  por vetëm në të ardhmen e largët. Prandaj kylloj konfuzioni do të vazhdojë për shumë vite”.

Pavarësisht pajtimit në Bruksel dhe Ohër për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit, mungesa e një firmë por edhe deklaratat kontradiktore të dy liderëve, e bënë shpejt të qartë se ujdia jo vetëm ishte e brishtë, por ndoshta edhe e pamundur. Teksa fokusi i ndërkombëtarëve u zhvendos tek bindja e opinionit publik për natyrën obliguese të marrëveshjes dhe ndërgjegjësimi i palëve mbi pasojat e moszbatimit të saj, normalizimi I pretenduar u testua nga një tjetër krizë…zgjedhjet në komunat me shumicë serbe.

Dorëheqja e kryetarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë Kurti mbi targat, i kishte lenë pa drejtues komunat veriore të Kosovës. Pas një sërë përpjekjesh për të thirrur zgjedhje më herët gjatë viti, autoritetet në Prishtinë caktuan 23 prillin si ditën kur popullsia në komunat me shumicë serbe , Mitrovice e Veriut, Zubin Potok, Zvecandhe Leposaviç, do të votonte në zgjedhjet e parakohshme lokale.

Por Lista Serbe, partia më e madhe e këtij komuniteti atje, e cila kishte mbajtur pushtetin që prej 2014-s, njoftoi se nuk do të merrte pjesë në votim. Nën udhëzimet e Beogradit zyrtar, partia e udhëhequr nga Goran Rakiç e kushtëzoi pjesëmarrjen me nisjen e krijimit të asociacionit dhe largimit e të gjitha njësive speciale nga veriu i Kosovës.

“Informojmë qytetarët tanë se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pasi kushtet të cilat na çuan drejt largimit nga institucionet nuk janë plotësuar. Deri sa kërkesat tona legjitime të përmbushen nuk do të marrim pjesë në asnjë zgjedhje”, deklaroi Lista serbe.

Ne prag të zgjedhjeve tensionet nisën të përshkallëzohen gradualisht. Vuçiç akuzonte Kurtin se po përpiqej të pushtonte veriun, ndërsa autoritetet në Prishtinë fajësonin Beorgadin se po ndërhyrnte në çështjet e brendshme, në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit, duke orkestruar bojkotin e zgjedhjeve.. Kosova dukej e vendosur për të shtrirë autoritetetin në atë pjesë te vendit, dhe për të çuar përpara atë që e shihte si proces legjitim për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 4 komunave veriore edhe pa pjesëmarrjen serbëve, që përbëjnë mbi 95 përqind të popullisë atje. Vetëm 3.47 përqind, apo  1567qytetarë, nga rreth 45 mijë votues të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e 23prillit në 4 komunat veriore. Për shkaqe sigurie, autoritetet hezituan të hapnin vendvotime nëpër shkolla, dhe kontejnerët shërbyen si qendra alternative votimi. Zgjedhjet që u cilësuan të paligjshme nga përfaqësuesit e serbëve dhe Beogradi, rezultuan me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e veriut dhe Leposaviç dhe atë të PDK në Zveçan dhe Zubin Potok. Për herë të parë, 4 komunat e drejtuara nga serbët, do të kishin kryetar shqiptarë.

Me pretendimin se Kosova synonte frikësimin, shtypjen e madje edhe dëbimin e popullsisë serbe në veri, presidenti Aleksandër Vuçiç foli për ndryshime tektonike, dhe e cilësoi bojkotin e popullsisë serbe si një kryengritje politike paqësore…Duke kritikuar heshtjen e SHBA dhe BE për atë që e quante pushtim të plotë të veriut, nga Albin Kurti, Vucic paralajmëronte shpërthim të trazirave atje…Dhe skenari i paralajmëruar i trazirave kishte filluar të mbillte farat tashmë, me serbët e veriut që kërcënuan të bllokonin hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Teksa i frikësohej një ndezje të rrezikshme të tensioneve, komuniteti ndërkombëtar që deri më tani kishte bekuar ato i quajti zgjedhje demokratike, e ndryshoi me shpejtësi pllakën, duke i vënë shpejt Kosovës mbi shpatulla vulën e fajit për trazimin e ujërave.

Sipas tyre, vendeve të Quintit zgjedhjet nuk përfaqësonin një zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb. Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier do t’i bënte thirrje Prishtinës të hiqte dorë nga hyrja me forcë në objektet e komunës.

“SHBA beson se kjo duhet të marrë fund. Konfliktet dhe veprimet që çuan në rritje të tensioneve në veri, duhet të shmangen. Ne nuk mendojmë se është një ide e mirë të përdoret forca për të siguruar qasje në godinat që mund të jenë të paaksesueshme”.

Situata mori një kthesë të rrezikshme më 26 Maj, kur policia ndërhyri për te mundësuar hyrjen e kryetarëve të rinj në 4 komunat çka nxiti zemërim të serbëve që u mblodhën atje për të protestuar. Paralelisht me tensionet po ashpërsohej edhe retorika e SHBA me sekretarin Amerikan të Shtetit Anthony Blinken që paralajmëroi me pasoja, nëse Kosova nuk ndryshonte qasje.

Fuçia e barutit që po lëshonte prej ditësh shkëndija, shpërtheu më 29 maj. Zveçani, u bë arenë e trazirave më të rënda që prej luftës, teksa dhjetëra manifestues të dhunshëm u përleshën me policinë dhe trupat e KFOR që kishin shtuar praninë e tyre në zonë. Skenat e frikshme të protestuesve që godisnin egërsisht me mjete të forta ushtarët e KFOR, duke i gjakosur dhe plagosur rëndë, u bënë imazhi i spirales së frikshme në të cilën kishte rrëshqitur situata në veriun e Kosovës. Për ta bërë edhe më dramatike panoramën, u desh vendimi i Serbisë për të shpallur gatishmërinë luftarake, duke afruar forcat në kufi. Në alarm, përballë mundësisë reale që një tjetër konflikt të rindizej furishëm në rajonin e brishtë, SHBA dhe BE bashkuan edhe një herë forcat për të nxitur zbutje të tensioneve. Ishin njëzëri në dënimin e autorëve të dhunës dhe thirrjet për daljen e tyre para drejtësisë, por edhe në identifikimin e fajtorit kryesor për gjtihçka kishte ndodhur, dhe që ishte Albin Kurti.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri është marrë kundër këshillës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve europianë, duke përshkallëzuar pa nevojë tensionet”, tha Blinken.

Deklarata e Blinken, e cila shënoi edhe reagimin më të fortë të SHBA kundrejt shtetit, për ekzistencën e të cilit dha kontribut vendimtar. Reagimi i pak ditëve më vonë i Kurtit, i cili i përkufizoi si të padrejta dhe naive fjalët e kreydiplomatit amerikan, sinjalizoi se raporti solid e deri më tani absolut, mbi të cilën Kosova ishte mbështetur për çdo krizë, kishte filluar të lëkundej.

Gjatë një vizite në rajon gati një javë pas përleshjeve të dhunshme, emisari i posaçëm i BE për dialogun Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Garbiel Escobar, erdhën me 3 kërkesa të qarta, si mënyrë për zgjidhjen e krizës…3 kërkesat me grafike: Shtensionimi i situatës në veri; Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri; Rikthimi në dialogun për normalizim. Nga Kosova kërkohej konkretisht të largonte kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut,Leposavicit dhe Zvecanit e po ashtu njësite special të policisë nga godinat e komunave; të shpallte menjëherë datën e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit dhe të niste punën për krijimin e asociacionit…Serbisë nga ana tjetër i kërkohej të nxiste largimin e protestueseve nga objektet e komunave e të garantonte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Teksa presidenti Vuçiç, sinjalizoi gatishmëri për bashkëpunim, duke veshur sërish petkun e viktimës që sakrifikohet në emër të paqes, kryeministri Kurti ndërtonte rolin e udhëheqësit kokëfortë, që nuk pranonte kompromis.   Duke I mëshuar situatës së rrezikshme të sigurisë në veri, dhe nevojës për të rikthyer rendin atje, Kurti përjashtoi mundësinë e tërheqjes së forcave policore apo të kryetarëve që sipas tij nuk mund ta kryenin funksionin në zyra alternative.

Sa i përket çështjes së zgjedhjeve të reja, sinjalizoi dakordësi, me kushtin qe të garantohej pjesëmarrja e serbëve dhe që fushata zgjedhore të ishte e drejtë dhe pa indimidime nga Serbia. Tre kërkesavetë BE-së për zgjidhjen e krizës, Kurti ju përgjigj me një kundërpropozim të vetin prej 5 pikësh: Propozimi me grafike: Sundim i ligjit në veri; Tërheqja e grupeve të dhunshme nga territori i Kosovës; Vlerësime të përbashkëta të sigurisë mes policisë së Kosovë, KFOR dhe EULEX; Koordinim për shpalljen e zgjedhjeve në 4 komunat veriore; Rikthim në dialogun e ndërmjetësuar.

Ndërsa ndërkombëtarët prisnin hapa që do t’i kontribuonin shtensionimit të situatës, Kurti nxitonte për të jetësuar qëllimin e tij, për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri. Mes pretendimeve për kontrabandë të paligjshme në kufirin me Serbinë dhe për veprimtaritë e rrezikshme të një sërë grupeve kriminale, qeveria Kurti kishte nisur një fushatë arrestimesh në veri. Në pranga sipas autoriteteve, përfunduan pjesëtarë të 2 grupimeve që Kosova Ii shpalli si organizata terroriste, për shkak të rolit në trazirat e 29 majit. Në Beograd ku zemërimi po mbërrinte në pikën e vlimit, kishte filluar të orkestrohej plani i hakmarrjes. Ai u konkretizua në 14 qershor, kur pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, arrestuan dhe morën peng sipas autoriteteve në Prishtinë, 3 policë të Kosovës që po patrullonin për aktivistet të dyshuara kontrabande në kufirin mes dy vendeve në Leposaviç. Sipas kryeministrit Kurti, forcat serbe kishin hyrë në territorin e Kosovës dhe kishin rrëmbyer pjesëtarët e Policisë, në atë që e quajti akt të pastër agresioni…Teksa ofroi prova për të mbështetur pretendimet e tij, shefi i ekzekutivit të Prishtinës, shprehu habi me heshtjen e ndërkombëtarëve lidhur me ngjarjen. Albin kurti sink 15 qershor-kurti-

“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime dhe nuk na befason. Ajo që na bën përshtypje është heshtja e faktorëve ndërkombëtarë. Rrëmbimi është dëshmia më e qartë dhe hartat”, deklaroi Kurti më 15 qershor.

I ndryshëm ishte versioni që paraqiti Serbia, me presidentin Aleksandër Vuçiç që këmbënguli se policët ishin arrestuar 1.8 km larg kufirit të Kosovës. Ai akuzoi kryeministrin Kurti se dëshironte luftë me çdo kusht. Ndërsa marrëdhëniet mes 2 vendeve po shkonin edhe një herë drejt një pike të rrezikshme fërkimi, fokusi u kthye nga ai që u perceptua si hezitim i ndërkombëtarëve për ta dënuar Serbinë. BE dhe NATO thanë fillimisht se do të prisnin deri në grumbullimin e informacioneve të nevojshme, duke e vënë theksin tek përmbajtja nga veprimet përshkallëzuese. Ushingtoni ishte i pari që e ashpërsoi gjuhën duke i kërkuar Beogradit të lirojë menjëherë policet e arrestuar.

Pas daljes në një gjykatë serbe, dhe caktimit të masës së paraburgimit, u desh presion i shtuar nga perëndimi dhe një takim I ndarë I liderëve në Bruksel për të bindur qeverinë e Beogradit të rikthejë policët në Kosovë.

Në takimet e ndarë që Kurti dhe Vuçiç zhvilluan me zyrtaret e BE të cilën më urgjencë po përpiqeshin të ndërmjetësonin një zgjidhje, nuk u prodhua ndonjë udhërrëfyes për daljen nga kriza. Palët u pajtuan vetëm mbi nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, por kërkesat e tjera të BE, përfshira ajo për pezullim të operacioneve policore pranë objekteve të komunave, ranë në vesh të shurdhët.

Me Vuçiç, që e shiste lirimin e tre policëve si akt të vullnetit të mirë, pasi i shpëtoi paq dënimit ndërkombëtar për atë që për Kosovën ishte shkelje e sovranitetit, prozhektorët u drejtuan sërish nga Kurti, si djali plangprishës.

Për Bashkimin Europian, kishte ardhur momenti që paralajmërimet të viheshin në zbatim, dhe nga 28 qershori hyri në fuqi paketa e sanksioneve për Kosovën.

Pavarësisht përpjekjeve të ripërtërira të Brukselit, për të shpëtuar marrëveshjen e minuar rëndë dhe reputacionin e vet , përballë zërave kritike për qasje të gabuar, edhe takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel, më 14 shtator do të mbyllej me dështim. Mes asaj që po perceptohej si paaftësi e Borrell dhe Lajçak për të ndërmjetësuar një zgjidhje, durimi i zyrtarëve preku fundin, dhe shpërtheu në një dalje të rallë nga korniza e neutralitetit.

Njeriu që udhëheq diplomacinë e bllokut, Josef Borrell nuk i rezistoi tundimit për të fajësuar haptazi kryeministrin Kurti si fajtor të ngërçit, dhe pengues të përparimit në dialog. Borrell sink 14 shtator

“Kurti nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin easociacionit. Në vend të kësaj ai ka insistuar që të formalizohet njohja defacto, si hap i parë”, deklaroi Borrell më 14 shtator.

Pa qime nën gjuhë replikoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili akuzoi drejtpërdrejtë negociatorët europianë për njëanëshmëri. Pakënaqësia e tij ndaj performancës së Josef Borrell dhe Miroslav Lajçak, që deri më tani ishte lexuar mes rreshtave  po shpërfaqej e qartë nën dritën e diellit.

“Kushtëzimi i Serbisë për asociacionin është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE. Është për të ardhur keq që emisari europian Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, reagoi Kurti më 14 shtator.

Vuçiç nga ana tjetër, u largua nga Brukseli me një fitore diplomatike; edhe një herë ja kishte dalë të poziciononte veten si pala e moderuar, që ndryshe nga antagonisti i tij rebel ishte i gatshëm të pranonte propozimet e Brukselit. Por gjithçka do të ndryshonte shpejt pak ditë më vonë, kur prozhektorët do të drejtoheshin këtë herë nga Vuçiç, këtë herë për ta nxjerrë nën dritën e qartë, të agresorit dhe jo viktimës.

Skenari i paralajmëruar prej kohësh nga Kosova, dhe të cilin ndërkombëtarët ishin përpjekur kaq shumë të parandalonin përmes ndërmjetësimit të dialogut të vështirë, u konkretizua më 24 shtator, në formën më dramatike të mundshme. Një grup i armatosur kriminal prej 30 personash, i zuri pritë policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, teksa kjo e fundit u ishte përgjigjur thirrjeve për bllokim të rrugës nga dy kamionë.  Pasi vrau rreshterin e Kosovës Afrim Bunjaku dhe plagosi një tjetër grupi kriminal i serbëve lokalë, u tërhoq më vonë në manastirin e Banjskës. Për disa orë me radhë, do të vijonte shkëmbimi i zjarrit me policinë që kishte rrethuar zonën, dhe do të rezultonte me vrasjen e tre prej agresorëve. Nga kjo situatë, këtë herë, Vuçiçi do ta kishte të vështirë të dilte triumfues dhe për këtë Kosova u kujdes me çdo mjet të mundshëm… Kurti për sulmin e 24 shtatorit.. Serbia qëndron prapa…. Megjithëse, fillimisht u përpoq të fshihej pas gishtit duke mohuar përfshirjen e Serbisë në sulmin e Banjskës, e duke akuzuar Kurtin si fajtor për terrorizimin e serbëve, Vuçiçit po i shteronin argumentat përballë provave që Prishtina paraqiste çdo ditë. Arsenali masiv i armatimeve që ju gjet grupit kriminal, implikonte Beogradin, e po ashtu pamjet filmike që evidentontin mes agresorëve Milan Radoiçiç.

Zv.kryetar i Listës Serbe, dhe eksponent radikal i serbëve të veriut, Radoiçiç njihej për lidhjet e ngushta me Beogradin, dhe shpesh ishte parë në krah të presidentit Vuçiç. Pasi e vërteta u shpalos e qartë në sytë e botës, Radoiçicç, në atë që u duk të ishte dorëzim i kërkuar nga Vuçiç, mori mbi vete përgjegjësinë e sulmit por duke shfajësuar Beogradin. Vuçiç i mëshonte kartës se Serbia, e cila para sulmit të 24 shtatorit kishte konsoliduar rolin e palës konstruktive, nuk përfitonte asgjë e madje dëmtohej nga ngjarjet e Banjskës.

Por teksa është e dukshme se Serbia nuk përfitoi, por u dëmtua nga sulmi në Banjskë, pse ndodhi 24 shtatori? 

“Raporti dhe provat që paraqiti Kosova nuk lanë asnjë hije dyshimi, se pas sulmit qëndronte Serbia. Pyetja që shtrohet është, kush e aprovoi në Beograd. A e aprovoi presidenti apo jo…Unë këtë nuk mund ta di, por mendoj se për të mund të ishte me keq që mos ta kishte aprovuar se sa ta kishte bërë. Pasi fakti që dikush në qeverinë e tij do të kishte dhënë mbështetjen për një rebelim të serbëve kundër qeverisë së Kosovës, pa aprovimin e Vuçiç, do të reflektonte negativisht mbi të”. 

Ngjarjet në Banjskë i shërbyen Kosovës dhe kryeministrit Kurti për të përligjur vendosmërinë për të mos lëshuar pe në dialog, përpara atij që kishte zbuluar fytyrën e vërtetë në sytë e botës si një shtet agresor dhe me qëllime keqdashëse. Ishte e qartë tanimë se kush ishte viktima, dhe se cilën palë do duhej të kishin ndëshkuar ndërkombëtarët. Banjska i kishte ndryshuar letrat në tavolinë ne favor të Kosovës, e cila kishte fituar të drejtën për ta ngritur stekën e pretendimeve, dhe për të këmbëngulur për ndëshkimin e fqinjit problematik. Por përveç ndonjë shkulje veshi të Serbisë nga ana SHBA, disa muaj pas sulmit që sipas Kosovës, ishte përpjekje për të aneksuar veriun sipas shembullit të Krimesë nga Rusia, Serbia mbetet e pandëshkuar.

“Në Uashington askush nuk e vë në diskutim përfshirjen e Serbisë, dhe besoj as në BE, pasi kjo është e qartë, e megjithatë, Uashingtoni dhe Brukseli dështuan të mbajnë përgjegjëse Serbinë në ndonjë mënyrë tjetër përveç disa kritikave në deklaratat publike. Dhe kjo është skandaloze. Kosova vuan sanksion për asnjë arsye të fortë, dhe Beogradi shpëton paq, pas një rebelimi të armatosur”.

Pas një reagimi të rrezikshëm fillestar, me dërgimin e mijëra forcave ushtarake në kufi, Serbia u detyrua të bëj hapa prapa nën trysninë e shtuar ndërkombëtare, dhe paralajmërimet e NATO-s. Trupat serbe u tërhoqën, dhe Beogradi u shpreh I gatshëm të bashkëpunojë për daljen para drejtësisë të autorëve të dhunës në Zveçan. E megjithatë ajo që ndodhi ishte një tregues i qartë, i potencialit që ka marrëdhënia e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, për t’u shndërruar në një konflikt të rrezikshëm me pasoja katastrofike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përfshirja e mundshme e Rusisë, e bën edhe më alarmante situatën.

“Shpresoj që Serbia të mos jetë duke planifikuar sulme të reja por duke qenë se e vuajti një të tillë nuk shoh arsye që Kosova të mos planifikojë të mbrohet nga një tjetër. Nëse24 shtatori nuk është aprovuar nga presidenti në Serbi, duket të jetë aprovuar nga dikush tjetër. Dhe i vetmi autoritet që njoh që mund ta ketë aprovuar atë pa pwlqimin e Vuçiç, janë shërbimet sekrete të Rusisë. Pasi ata e kanë mundësinë për ta realizuar një sulm të këtij lloji praktikisht kudo në Ballkan”.

“Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë ndryshoi gjithçka dhe dialogu nuk mund të vijojë më njësoj”, tha Kurti.

Me vetëdijen se zgjidhja e konfliktit të kahershëm nuk mund të vijë në asnjë mënyrë tjetër përveçse përmes dialogut, Albin Kurti e di se nuk do të mund t’i bëjë dot bisht disa kompromiseve të dhimbshme për Kosovën, por tani ka alibinë për t’iu kundërvënw me plot gojën atij që e sheh si trajtim të privilegjuar ndaj Serbisë.

Rezoluta kundër Serbisë e miratuar në Parlamentin Europian, dhe zërat gjithmonë e më të fortë kundër qasjes së deritanishme të BE, janë një sinjal që trajektorja po ndryshon, e megjithatë Beogradi vijon të mbetet i pandëshkuar. E vetmja dritën në fund të tunelit të merret të dialogut, mbetet ai që është cilësuar një draft statut modern për asociacionin, i propozuar në rishtazi nga BE, si një mënyrë e fundit për të pastruar njollën e dështmit, dhe për t’i dhënë një zgjidhje plagës së madhe që lëngon në zemrën e Europës. Palët thonë se e kanë pranuar në parim, por a do të përkthehet kjo në rezultate?

“Duhet qasje pragmatike. Dialogu duhet të marrë një kthesë më pragmatike. Dhe këtë e mbështes tek fakti se i ashtuquajturi dialogu teknik që ekzistonte para vitit 2013 ishte produktiv se sa 10 vite dialog politik. Pretendohet se marrëveshja e re ofron njohjen de fakto të pavarësisë, por kjo parashikon një hap prapa edhe nga marrëveshja e 2013-s,që në mënyrë eksplicite njihte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës përfshirë duke thënë se Prishtina dhe Beogradi do të kualifikoheshin veçmas për anëtarësim në BE, diçka që mund të ndodhë vetëm për shtetet e pavarura. Serbia e hodhi poshtë këtë, prandaj nuk shoh terren të frytshëm për dialog politik.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos