Pensionet rriten pas një muaji, Malaj: Po mendojmë të afrojmë indeksimin në korrik ose qershor

Nga Marjo Brakaj
5 Qershor 2026, 15:32 | Ekonomi

Pensionet për të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese mund të indeksohen para 1 tetorit. Lajmin e dha ministri i Financave, Petrit Malaj nga konferenca e përmuajshme për media. 

“Indeksimi i pensioneve është një çështje që jemi duke e diskutuar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore edhe për shkak të realizimit të të ardhurave. Kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për të krijuar mundësinë që të afrohet procesi i indeksimit në muajt qershor apo korrik. Megjithatë, është një çështje vendimmarrjeje të cilën besoj se do ta ndajmë me ju sapo të kemi dakordësinë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, tha Malaj, përcjell A2 CNN.

Teksa bëhen gati 2 javë nga çelja e skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori për këtë vit, ministri Malaj bëri edhe një bilanc paraprak të rimbursimeve të TVSH-së për fermerët. “Shuma potenciale e të cilëve për kompensimin e fermerëve vlerësohet në rreth 6.5 milionë euro. Kjo shumë përfaqëson një përllogaritje të kostos që do të nevojitet për të mbështetur fermerët përfitues të skemës, në varësi të numrit të tyre dhe masës së kompensimit që do të përcaktohet”, tha Malaj.

Dy muaj nga nisja e procesit, në buxhetin e shtetit janë futur plotë 3.9 miliardë lekë nga rivlerësimi i pronave me 5 për qind. Kjo në një kohë që për referencat në 60 bashkitë e tjera veç Tiranës duhet ende të pritet.

“Grupi i punës është duke punuar, është më kompleks se përfshin edhe bashkitë. Ky proces nuk e pengon rivlerësimin, por kjo nuk i pengon qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut, mund ta bëjnë me vlerësues privat”, tha Malaj.

Sa i takon inflacionit, Malaj tha se Shqipëria vijon të ketë një nga normat më të ulëta në rajon dhe më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, duke e cilësuar këtë si tregues të stabilitetit makroekonomik dhe ruajtjes së fuqisë blerëse të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos