Paketa e zgjerimit të BE, Von der Leyen: Kosova duhet të formojë Asociacionin në Veri

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2023, 12:58 | Kosova

Në konferencën për mediat në Bruksel ku është prezantuar progres-raporti i zgjerimit për secilën prej shteteve që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, u ndal edhe te Kosova.

E pyetur se Kosova ishte i vetmi vend nga 10 të përfshira në paketë, për të cilin nuk ka një rekomandim nga BE-ja, Von der Leyen nënvizoi se BE-ja pret nga Prishtina zyrtare që të formojë Asociacionin e komunave serbe në Veri.

“Jemi shumë të qartë në atë se çfarë presim nga Kosova dhe se çfarë ai vend mund të përmbushë.  Kosova duhet të zbatojë dhe do të formojë Asociacionin me draft-statutin e marrë nga Europa. Gjithashtu, kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi, është e qartë se secili prej shteteve ka një mundësi unike për të lëvizur drejt BE-së. Ajo çfarë pyesim ne është se cili është kontributi i tyre për të ecur drejt BE-së.”

Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Europian

Në krahun tjetër, komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, theksoi rëndësinë e ekzistencës së një kërkesë për anëtarësim nga Kosova, por theksoi se është ecuria e dialogut me Serbinë që do ta çojë vendin përpara në rrugën drejt BE-së.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se kemi një aplikim për anëtarësim të dorëzuar nga Kosova në BE. Duhet ta çojmë përpara. Ne jemi gati për të dhënë opinionin tonë. Mendimi ynë është ai që mund të lexoni edhe në raport se Kosova duhet të jetë e suksesshme në dialog dhe dialogu duhet të jetë i suksesshëm për Kosovën në mënyrë që të ecë përpara.”

Oliver Varhelyi - Komisioneri për Zgjerimin i BE

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi