Këshilli Europian shpreh shqetësim të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës në konkluzionet e publikuara në përfundim të samitit.
“Bashkimi Europian pret që autorët të kapen dhe të dalin me shpejtësi para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzion teksa dënohet ashpër sulmi kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.
Prishtinës dhe Beogradit u bëhet thirrje që të ndjekin përpjekje të qëndrueshme për të ulur tensionet dhe që të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve. “Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, paralajmërohet në konkluzionet e Këshillit të BE-së.
Gjithashtu, shprehet keqardhje për mungesën e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve nga të dyja palët, por edhe e të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në kuadër të dialogut. “BE-ja i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i zbatojnë ato, pa vonesë ose parakushte. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, thuhet në konkluzion.
Në përmbyllje të samitit, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, shpjegoi dhe arsyen e dështimit të negociatave të liderëve kryesorë të bllokut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
"Ajo që presim prej tyre është zbatimi i marrëveshjeve. Vërtetë, ajo që ju e përmendët, temën e asociacionit të komunave serbe, është një nga elementet e rëndësishme, jo i vetmi, por ky është një nga elementet e rëndësishme që duhet të zbatohet, sipas nesh. Dhe jam i sigurt që jeni plotësisht i informuar se ka një debat për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve për faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën në këto momente duke u bazuar në kushtetutën e Serbisë, ose të paktën interpretimin e kushtetutës së Serbisë nga autoritetet serbe", tha Michel.
"Por, elementi më i rëndësishëm, dhe kjo ishte pika e ngritur nga liderë të ndryshëm sot në mbledhjen e Këshillit Europian, është fakti që të dy liderët në prani të përfaqësuesve europianë, e bënë shumë të qartë se synojnë t'i zbatojnë ato marrëveshje. Dhe unë mendoj se ditët në vijim, javët që do të vijnë do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për të kontrolluar nëse ato marrëveshje janë zbatuar vërtet dhe do të jetë përgjegjësia e BE-së të vlerësojë se cilat janë pasojat në rastet kur zbatohen dhe kur jo". (A2 Televizion)