Sondazh: Cilat janë aktivitetet tuaja gjatë fundjavës?
  • Sport 18%
  • Me miqtë dhe familjen 53%
  • Rri në shtëpi 29%

Nuk ka përparim në dialog, Borrell: Pajtimi u pengua nga kushtëzimet e palëve

Nga Rosalba Bejdo
27 Tetor 2023, 09:32 | Kosova

Pavarësisht sinjaleve pozitive që erdhën nga Brukseli, gjatë ditës së enjte, bisedimet maratonë të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me krerë të shteteve europiane u mbyllën pa rezultat.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell, tha se një pajtim i mundshëm mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me një draft-statut të ri bashkëkohor mbi asociacionin, të propozuar nga zyrtarët europianë, u pengua nga kushtëzimet që palët i paraqitën njëra-tjetrës.

“Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme të dakordësoheshin mbi këtë pa parakushte, të cilat ishin të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne u kërkojmë palëve të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit. Kjo mund të bëhet vetëm në kornizën e dialogut, pasi është e vetmja mënyrë për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, tha Borrell. 

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është. Sipas Kurtit, vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj garanton zbatimin e tyre.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023”, thuhet nga qeveria e Kosovës.

Sakaq, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi pas takimit se nuk ishte folur për nënshkrim, por për zbatimin e asaj që është nënshkruar më herët. Duke e cilësuar draftin e propozuar rishtazi mbi asociacionin si një bazë të mirë, ai pohoi se nuk mund të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e pavarësisë: “Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë. Por, Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës”. 

Kurti dhe Vuçiç u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, Presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë.  

A2 CNN Livestream

Dita jonë