Organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kështu u shpreh për A2CCN, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, që zhvilloi një vizitë në Prishtinë.
Pranë homologes Donika Gërvalla, kryediplomati konfirmoi se Shqipëria është një shtet aleat i përjetshëm dhe i padiskutueshëm i Kosovës dhe se në çdo rast, në të mirë e në të keq do të jetë afër Kosovës dhe afër shqiptarëve të Kosovës.
“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”, tha Igli Hasani, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekje.
Kurse sa i përket hapave që duhen bërë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, Kryediplomatja Gërvalla tha se Kurti në përgjigje të kësaj urgjence të ndërkombëtarëve, ka qenë në gjendje që të nënshkruaj tri marrëveshjet, përfshirë edhe atë për Draftin, duke anashkaluar shqetësimet dhe komentet e bëra.
“Sa i përket Draftit që na është dorëzuar në shtator. BE-ja duhet të mendoj mirë se cila është rrugë në të ardhmen, si do veprojë jo vetëm me marrëveshjet Kosovë-Serbi, por cila është perspektiva e vitit 2024, do të vazhdojë BE-ja me ledhatimin e Serbisë dhe injorimin e rrezikut, apo do të ketë një ndryshim në qasje”, ka thënë Gërvalla.
Hasani gjatë qëndrimit në Prishtinë u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Pas Kosovës, Hasani do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi. (A2 Televizion)