Kryekuvendari Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë. Pasi Kurti dhe Bislimi kishin mohuar diçka të tillë, Konjufca bëhet zyrtari i parë i lartë i partisë në pushtet që tregon gatishmërinë e subjektit për zgjedhje të reja.
Konjufca tha se mendon që “zgjedhjet e reja” duhet të mbahen sa më shpejt dhe se “mazhoranca pajtohet me opozitën” për këtë çështje. Sipas tij, gara do të bëhet vetëm për vendin e dytë.
“Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni publik po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave të ndryshme, edhe prej partive politike të cilat vet po i porositin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta. Unë mendoj që do të jetë një garë shumë të ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës”, tha Konjufca.
Konjufca nuk e cilësoi as befasi koalicionin mes partisë së Ramush Haradinajt, AAK, me Nismën e Fatmir Limajt.
“Koalicionet kanë ndodhur në Kosovë edhe në të kaluarën gjithmonë. Po ndodhin edhe tash. Nuk është ndonjë befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me NISMA-n, po ndodh sërish”, shtoi ai.
Sipas kalendarit, zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen në fillim të vitit 2025. (A2 Televizion)