“Në KiE kaloni vetëm nga rruga jonë”, Franca dhe Gjermania, mesazh Kosovës: Së pari asociacionin

Nga A2 CNN
17 Maj 2024, 14:30 | Politikë

Kosova duhet të kalojë në rrugën që i ofrohet dhe jo në atë që dëshiron vetë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Ishte ky qëndrimi i shprehur nga përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë, të cilët shuan shpresat për shqyrtimin e procesit të pranimit në këtë Komitet të Ministrave në Strasburg. Shefja e diplomacisë së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kërkoi nga Kosova që t’i plotësojë kushtet sa më parë, në mënyrë që Gjermania të nxisë shumicën për pranimin e saj në Këshillin e Evropës.

“Kosova duhet të bëhet një vend anëtar. Duhet të krijohen të gjitha kushtet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet shumica e nevojshme që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës”, tha Annalena Baerbock, ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Me plotësimin e kushteve, Gjermania nënkupton dërgimin e draft-statutit europian për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. Franca është pak më e ashpër në qëndrim, me sekretarin e shtetit për çështjet europiane, Jean-Noel Barot, që thotë se çështja e pranimit të Kosovës mund të përçajë vendet anëtare. Por Parisi e mbështet këtë proces dhe konfirmon që Prishtina e ka vendin në Këshillin e Evropës.

“Megjithatë, ne mendojmë se në këtë drejtim, Kosova ende duhet të kalojë në një rrugë të caktuar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, u shpreh Jean-Noel barot, sekretar shteti për çështjet europiane i Francës.

Hungaria bëri të ditur kundërshtinë e fortë ndaj Kosovës për anëtarësimin jo vetëm në Këshillin e Evropës, por në çdo organizatë tjetër ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm, Peter Szijarto, tha nga Strasburgu se fillimisht duhet progres në dialog dhe më pas aplikime për aderim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos