Opozita thotë të kundërtën, Bislimi paraqet informacione sekrete për dialogun me Serbinë

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2024, 20:27 | Politikë

Kryenegociatori i Kosovës zbuloi informacione sekrete për dialogun me Serbinë. Kjo ishte dhe arsyeja pse raportimi i Besnik Bislimit në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u mbajt me dyer të mbyllura.

Informacionet e shpërndara, Lëvizja Vetëvendosje i konsideroi të domosdoshme, veçanërisht për opozitën.

“Kemi folur për procesin e dialogut në faza të ndryshme..., por fokusi ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje”, u shpreh Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryetare e komisionit.


Ajo shtoi se këto detaje sekrete do të bëjnë që opozita të mos shpërndajë ato që i konsideroi informacione të rreme. Por deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, tha pas mbledhjes se Bislimi nuk tregoi asnjë sekret të dialogut.

“Nuk pat asgjë më shumë se ajo çfarë keni parë dhe dëgjuar nga Bislimi. Ajo çfarë kërkova ishte të na tregojë nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë partnerë me të cilët bashkëpunojmë, nëse Borrelli e Lajçaku nuk janë kredibil në përfaqësim. Atëherë në çfarë rruge po shkojmë, kush janë partnerët tanë me të cilët duhet të ecim përpara? Pse çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës duhet të shndërrohen në instrumente për t’u diskutuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte ajo në Këshillin e Sigurimit. Çka është duke munguar në këtë linjë të komunikimit me aleatët tanë ndërkombëtarë?”, u shpreh deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Ndër të tjera, ajo akuzoi Bislimin se lëshoi një sulm personal ndaj saj. 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli