Kërcënimi jo i vakët i SHBA, opozita kërkon zgjedhje për të kthyer aleatët nga Kosova

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2024, 20:12 | Politikë

Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në rrezik. Garancinë e jep vetë kryeministri Albin Kurti, në adresë të të cilit erdhën paralajmërime serioze për humbje të statusit të vendit partner me Uashingtonin.

Shefi i qeverisë thekson se Kosova është falënderuese për rolin e SHBA-ve dhe kontributin shumë vjeçar. Lidhur me deklaratën e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James O’Brien se SHBA-të nuk bëjnë kërcënime të vakëta lidhur me partneritetin, Kurti dha këtë përgjigje:

“Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, tha Kurti.

Por këto raporte dhe vendimet e fundit që po i merr qeveria, shikohen të dëmshme nga opozita. Zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu thotë për A2CNN, se zgjidhje për situatën në të cilën po kalon vendi janë zgjedhjet.

Kurse kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka theksuar se veprimet e qeverisë Kurti janë të dëmshme dhe se nuk ka koordinim me aleatët.

Kritika për rregulloren për dinarin serb në Kosovë ka pasur edhe Bashkimi Europian. Por Banka Qendrore dhe qeveria kanë dëgjuar shqetësimet e ndërkombëtarëve duke prezantuar një plan me 10 pika për ta zbatuar në periudhën e gjatë të tranzicionit prej 3 muajsh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos