Paralajmërimet e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e më herët edhe të ambasadorit Hovenier, për pasoja për Kosovën, pas vendimit për ndalimin e qarkullimit të dinarit, konsiderohen si serioze.
Megjithëse në Prishtinë nuk presin nga Uashingtoni sanksione sikurse ato të Bashkimit Evropian, mungesa e mbështetjes në konsolidimin e shtetit të Kosovës shihet si goditje e rëndë.
“Sanksione klasike, ekonomike, mendoj se nuk do të ketë megjithatë mendoj se shumë më të dëmshme se këto sanksionet ekonomike e ndalja e mbështetjes financiare do të ishte mospërkrahja e Kosovës në arenën ndërkombëtare, qoftë në anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare e po ashtu në shtimin e njohjeve”, tha Fidan Ukaj, analist.
Bashkëpunimi e bashkërendimi i veprimeve të institucioneve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara konsiderohet i rëndësishëm pasi qëllimi final është i njëjtë.
“Mendoj se aq sa është interes i kryeministrave e liderëve të Kosovës është interes edhe i aleatit tonë strategjik që Kosova të jetë një shtet i fuqishëm ekonomikisht e po ashtu edhe të jetë grantues i sigurisë se vetë, kështu që është një qasje e gabuar qasja e kryeministrit në këtë rast”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të zëshme në kërkesen për shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës. (A2 Televizion)