Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci foli në Debat në A2 CNN në lidhje me vendimin e BQK për dinarin serb dhe shqetësimin e aleatëve se një vendim i tillë mund të nxisë tensione të reja, sidomos në veri.
Bogujevci nuk pajtohet me qëndrimin e zyrtarit amerikan O’Brien kur bëhet fjalë për vendime që iu takojnë vendeve të pavarura dhe institucioneve të tyre, dhe shton se qëllimi i vetëm i Kosovës është kontrolli i situatës së sigurisë në veri dhe jo cenimi i serbëve që jetojnë atje.
“E kuptoj shqetësimin e SHBA dhe rrethanat në të cilat jemi tani për çështjet e sigurisë. Jemi në një situatë jo të mirë, por duhet të kuptojmë disa gjëra. Nuk lidhet çështja e denarit me serbët në Kosovë, por me sigurinë e vendit dhe rregullimin e veriut të vendit. Nuk mund të lejojmë grupe kriminale. E çuditshme që nuk ka pasur reagime të fuqishme dhe për atë që ndodhi në shtator. Është detyrë e institucioneve të Kosovës të ndërmarrin hapa që sigurojnë vendin. Serbia ka futur dinar me thasë, pa kontroll. A do pranonte çdo shtet demokratik qasje të tilla? Ne jemi të pavarur dhe është e nevojshme që të ndërmarrim hapa të shtetit. Banka ka dhënë udhëzime për qytetarët serbe”, tha Bogujevci. (A2 Televizion)