
“Zgjedhjet nuk ishin të barabarta pasi u përdor paraja publike”. Me këtë akuzë drejtuar kryeministrit në detyrë dhe kreut të Vetëvendosje, lideri i PDK-së Bedri Hamza, komentoi rezultatin zgjedhor të 7 qershorit. Ai nënvizoi se ka pritur më shumë nga votuesit.
“Sigurisht se kemi pritur më shumë, kemi mundur më shumë. Nëse i referohemi vendeve në Kuvend unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak", tha Hamza, shkruan A2.
Kreu i PDK-së theksoi se pret themelim të shpejtë të institucioneve.
“Unë pres që të ketë një formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë të gjitha nivelet: edhe Kuvendin, edhe qeverinë, edhe presidentin dhe të kemi një përmbyllje të këtij cikli e t'i kthehemi punës. Përndryshe, 200 mijë vota më pak po e thjeshtësojnë këtë që na kanë thënë votuesit: "Na keni lodhë. Boll”.
Hamza tha se në Skenderaj, Drenas, Prizren dhe në Ferizaj kanë pasur humbjen më të madhe të votave. Ai bëri të ditur se PDK-ja do të kalojë në dy procese të rëndësishme, së pari do të shkojë në zgjedhje të brendshme këtë vit, ku gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe kryetarin dhe më pas presin një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ne për pak javë e presim një vendim, që është vendimi në Gjykatën e Hagës, që ka të bëjë me liderët tanë dhe liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, kryetarin Krasniqi, Rexhën dhe presim që të jetë një vendim lirues. Përndryshe, kishte me qenë vështirë me i thënë drejtësi kësaj pune. Nuk ka asnjë arsye tjetër që vendimi mos të jetë lirues dhe kthimi i tyre, kthimi i tyre në familjet e tyre, në Kosovë, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë një ndryshim shumë i madh”, tha Hamza.
Në këto zgjedhje të parakohshme, sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, PDK ka marrë 21.13% ose 147 mijë e 325 vota. (A2 Televizion)