Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerësoi se raporti i progresit i Komisionit Europian për Kosovën nuk shënon ndonjë përparim të theksueshëm për vendin në rrugën drejt integrimit europian.
GLPS rekomandoi që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje të shtuara dhe koordinim më të mirë edhe ndërinstitucional, por edhe me Bashkimin Europian, në mënyrë që të shënohen rezultate konkrete në disa nga reformat kyçe që janë të parapara si shumë të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Europian, përcjell A2 CNN.
Dea Fetiu, nga GLPS, u shpreh: “Në vitin 2024, raporti i progresit shënon se Kosova s’ka arritur ndonjë progres të mjaftueshëm dhe që do të konsiderohej si thelbësor për ecjen përpara në integrimin në BE. Po ashtu, duhet të theksohet se ky është raport i parë që vjen për Kosovën, derisa Kosova është në masa të përkohshme nga BE-ja dhe kur ka marrëdhënie pak të tensionuar me këtë organizatë ndërkombëtare”.
Disa prej reformave ku kërkohet angazhim më i madh vlerësohet se është për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformën në administratën publike, në arsim e mbi të gjitha u kërkua angazhim i shtuar nga Qeveria për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Një e gjetur tjetër nga raporti është se 18 fusha në total nga 35 të tilla janë vlerësuar si tërësisht të njëjta me vitin 2023: “Këtë vit, Kosova ka shënuar progres në gjithsej dy kapituj. Në kapitullin 24 që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si dhe kapitullin 19 për politikat sociale dhe punësimin. Po ashtu, Kosova ka shënuar progres të mirë në gjithsej katër fusha, përderisa njëfarë progresi është shënuar në 11 fusha, progres i limtuar në 17 fusha, ndërsa dy fusha kanë mbetur pa progres fare”.
GLPS përmendi edhe ligjin për zyrtarët publik, që, sipas tyre, është në kundërshtim me parimet e SIGMA-s dhe degradon funksionimin e shërbimit. (A2 Televizion)