Shqiptarët në burgjet serbe, Haxhiu u kërkon ndërkombëtarëve të bëjnë presion mbi Serbinë

Nga Ideal Gola
13 Qershor 2024, 22:54 | Politikë

Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, që ka për qëllim adresimin e krimeve të luftës duke krijuar hapësirën për të vendosur fakte për të kaluarën, duke siguruar kompensim për padrejtësitë dhe traumat e lidhura me luftën, mbrojtjen e kujtesës individuale dhe kolektive.

Kjo strategji u tha se ka për qëllim të korrigjojë padrejtësitë dhe të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e luftës së fundit në Kosovë nga Serbia. 

“Vizioni i Kosovës për drejtësinë tranzicionale është krijimi i një platforme strategjike nëpërmjet së cilës synon realizmin e të drejtave të viktimave, për gjetjen e së vërtetës për të kaluarën, drejtësinë dhe garantimin e mospërsëritjes”, tha Haxhiu.

Në Serbi vijojnë të mbahen në paraburgim disa shqiptarë të Kosovës, të cilët janë arrestuar me pretendime për krime lufte, për çka u kërkua nga ndërkombëtarët të bëhet më shumë presion për t’i liruar.

“Nga Serbia veprime të tilla aspak nuk na befasojnë, por në këtë rast u kërkoj edhe një herë partnerëve tanë që të bëjnë trysni e presion ndaj Serbisë që t’i ndalojë veprimet e tilla. Kosova asnjëherë nuk ka bërë arrestime mbi baza politike, pra qytetarët serbë, të dyshuarit për krimet e luftës në Kosovë, nuk janë arrestuar për motive politike, por për shkak të krimeve që i kanë bërë gjatë periudhës së luftës”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë u pyet edhe për Kodin Civil i cili nuk po sillet në Kuvend. Haxhiu konfirmoi se mazhoranca nuk i ka votat dhe i kërkoi opozitës të bëhet pjesë e votimit dhe të kontribuojë edhe me amandamente nëse e shohin të nevojshme: “Ne nuk mund ta procedojmë në Kuvend për sa kohë nuk jemi të sigurt që Kodi Civil kalon. Mendoj se nuk është mirë për Kosovën që një dokument kaq i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejët me të drejtat e nejriut të dështojë sërish në Kuvend, por ne nuk kemi hequr dorë nga ai dokument sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut”.

Disa deputetë brenda grupit parlamentar të mazhorancës janë kundër Kodit Civil, pasi thonë se i hap rrugë martesave mes gjinisë së njëjtë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024