Numërimi i votave për zgjedhjet e së dielës ende nuk ka filluar në të gjithë vendin, pavarësisht se kanë kaluar katër ditë nga dita e zgjedhjeve.
Gjatë së enjtes procesi i numërimit nisi edhe në tetë komuna, duke e çuar totalin në 26 komuna ndërsa në 12 komuna pritet që të nisë gjatë së premtes.
Në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë pas vështirësive teknike dhe administrative gjatë së martës dhe së mërkurës, të enjten numërimi për votat e kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i atyre për subjekte politike ka vijuar normalisht megjithëse me ritme më të ngadalta.
Për shkak të vonesave në numërim dhe lëshimeve në platformën e saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kritikua se po cenon integritetin e procesit dhe po ndikon në besueshmëri.
“Shihet se plani operacional dhe pjesën e funksionalizimit të QKN-ve realisht nuk jemi me kohë, edhe ato që i kemi hapur i kemi hapur me vonesë, me probleme të theksuara”, shprehet Sami Hamiti, anëtar i KQZ nga LDK.
“Sa më shumë që vonohet ky publikim i rezultateve të kandidatëve aq më e madhe është pakënaqësia, aq më i madh është presioni, aq më të alarmuar janë të gjithë sepse ka mungesë besimi në raport me institucionin”, shton Arianit Elshani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk përjashtoi mundësinë që në rast se sistemi shfaq pengesa të rikthehen në numërim sipas metodës së vjetër.
“Të presim edhe sot dhe nesër dhe të shohim si po shkon procedura e numërimit përmes sistemit, nëse çdo gjë është në rregull do të vazhdojmë, nëse do të kemi probleme në disa qendra komunale të numërimit ne menjëherë do të fillojmë një procedurë tenderuese për printimin e disa formularëve të cilët janë të nevojshëm për numërimin e votave”, deklaroi kreu i KQZ, Kreshnik Radoniqi.
Pavarësisht kritikave, anëtarët e KQZ-së thanë se është bërë progres dhe numërimi i votave për herë të parë po bëhet në mënyrën më transparente të mundshme.
“Jemi shumë, shumë më mirë se në të kaluarën, vonesat natyrisht kanë të bëjnë me pritshmëritë që edhe ne ua kemi dhënë publikut edhe që është për ne hera e parë, edhe për stafin hera e parë që punojnë në këtë sistem”, tha Alban Krasniqi nga VV.
Përkundë vështirësive, KQZ u shpreh e bindur se numërimi do të përfundojë brenda muajit shkurt.
“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit dhe të shohim se si po shkon procesi, atëherë nuk kemi bërë vlerësim se sa do të zgjasë i tërë procesi për të përmbyllur numërimin, e përafërt 10 ditë deri në dy javë”, shton Radoniqi.
Paralelisht me numërimin e votave brenda vendit, KQZ është duke verifikuar votat me postë. Nga mbi 8,700 zarfe të verifikuara, të pavlefshme janë shpallur mbi 500 copë. Në total votat me postë janë mbi 68,700. (A2 Televizion)
Vonesat në numërimin e votave, KQZ nën presion: Kemi gati planin B
