Zgjedhjet në Kosovë, Presidentja Osmani takon kreun e KQZ: Të ruhet integriteti i procesit

Nga Tomorr Avdia
13 Shkurt 2025, 11:22 | Politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur në një takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Sipas zyrës për media, bëhet e ditur se tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast presidentja ritheksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.

Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja  është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme.

Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Njëkohësisht, Osmani është informuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

Sipas presidencës, thuhet se që nga dita e zgjedhjeve, presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Radoniqin si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Në takim, Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos