“Zgjedhjet e 7 qershorit, të panevojshme”, Kurti: negociatat për qeverinë e re vetëm pas certifikimit të rezultateve

Nga Rosalba Bejdo
24 Qershor 2026, 15:33 | Politikë

“Zgjedhjet e 7 qershorit, të panevojshme”, Kurti: negociatat

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ripërsëriti qëndrimin se vetëm pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të fillojnë diskutimet me partitë e tjera politike për formimin e institucioneve të reja. Sipas tij, fillimisht duhet zgjedhur qeveria e më pas presidenti.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti, përcjell A2 CNN.

Kurti përsëriti se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, por se tashmë vullneti i popullit, i shprehur në zgjedhje, duhet të përkthehet në institucione funksionale.

“I uroj qytetarët për procesin e lirë dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon atë që e kemi thënë dhe ripërsëritur para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, industri e prodhim, si dhe investime të mëdha infrastrukturore”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli përsëri e para me 47.13% të votave, ose 53 mandate.

Kurti foli edhe për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe për masakrën e Reçakut. Sipas tij, nga mijëra lëndë të trashëguara nga UNMIK, asnjë nuk lidhej me Masakra e Reçakut, duke e cilësuar këtë si dështim të gjatë në ndjekjen e përgjegjësve. Kurti ka kërkuar intensifikim të hetimeve dhe gjykimeve për krimet e luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos