Partitë politike në Kosovë kanë vijuar me akuza dhe kundër akuza mes tyre. Kryeministri Albin Kurti pati një mesazh për prokurorinë e shtetit.
“Fatkeqësisht prokuroria e shtetit është shndërruar në parti politike opozitare. Por edhe ato kanë me i humb zgjedhjet më 9 shkurt sikur edhe partitë e tjera opozitare. Pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputetë në kuvend, qysh mundet me i pas ndonjë parti opozitare, nëse ka fat me kaluar provën”.
Ndërsa liderët e tjerë të opozitës flasin për reformat në paga.
“Rritje e pagave për mësuesit, profesorët dhe punëtorët e arsimit do të ndodhë. Përkushtimi juaj duhet të shpërblehet me paga dinjitoze. Që në vitin e parë të qeverisjes sime do të rrisim pagat e sektorit publik me 50%, për t’i siguruar që ju të punoni me dinjitet e motivim”, u shpreh kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
“Do shtrojmë rrugën përpara drejt BE dhe miqësi me SHBA, mikun më të madh të Kosovës. Përballë nesh kemi frymën populiste që për 4 vite na ndau, na izoloi, na mbajti të ndarë e përçarë dhe dëshmoi që nuk janë të aftë për asgjë”, tha kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Nga ana e tij, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u ndal tek qasja e presidentit të SHBA për politikat e fundit.
“Zgjedhja e presidentit Trump e ka ndryshuar botën më shumë sesa lufta në Ukrainë. Është tektonike, jemi me ne apo s’je me ne. Me këtë njeri, me këtë qeveri s’jeni me ta. As s’po iu them ‘Amelika’ e as Amerika por me këtë njeri dhe këtë qeveri s’jeni me ta. E dini pasojat kur është ndryshe”, tha Haradinaj. (A2 Televizion)