Zgjedhjet në Kosovë, partitë serbe pa plan për integrimin e komunitetit të tyre

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2025, 16:34 | Politikë

Zgjedhjet në Kosovë, partitë serbe pa plan për integrimin e

Partitë politike serbe të cilat garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë nuk kanë ndonjë program konkret rreth integrimit të komunitetit të tyre në institucionet e shtetit, por edhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

Nga vëzhgimet e misionit vendor për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, fushata e 6 subjekteve politike serbe është e përqendruar në kundërshtim të veprimeve të Qeverisë së Kosovës si mbyllja e institucioneve paralele.  

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e shfrytëzon veriun si një nga pikat e saj të forta për respektim të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit. 

"Pozitive në këto zgjedhje është pluralizmi politik mes komunitetit serb ku ndryshe nga vitet e tjera, tani për herë të parë garojnë 6 parti politike. Që të gjashtat janë shumë aktive me takime dhe në rrjete sociale. Mirëpo, ato asnjëra nuk kanë program konkret se si do të bëjnë integrimin e serbëve, për zhvillim, por vetëm fushatë kundër njëri-tjetrit dhe kundër Qeverisë Kurti", tha Dushan Radakovic.

Fushata elektorale tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe intensiteti i saj po rritet nga dita në ditë edhe me takime të formateve të ndryshme. Fushata konsiderohet e qetë, përjashtuar nga protesta në Skenderaj kundër tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa partitë ende vijojnë me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

Gjatë këtyre tri javëve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka nxjerrë gjithsej 133 vendime sa i përket ankesave për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, ndërsa ka shqiptuar në total mbi 432 mijë euro për shkelje ligjore të Kodit të Etikës.  

“Më së shumti gjoba ka marr Lidhja Demokratike me 113,500 euro gjobë, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 101,500 euro, Partia Demokratike me 87 mijë euro, Aleanca me 69,700 euro pastaj edhe disa parti të vogla”, shprehet Violeta Haxhiu nga Demokracia në Veprim.

Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës.  Sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, ka rritje domethënëse të numrit të postimeve në rrjete sociale si dhe mjeteve të shpenzuara.

Janë evidentuar rreth 3 mijë postime të sponsorizuara në vlerë mbi 50 mijë euro vetëm në shtatë ditët e fundit, që përbën trefishim të numrit të postimeve dhe dyfishim të kostos së shpenzuar, krahasuar me javën e parë të fushatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos