Kosova vazhdon përpjekjet për fuqizimin e kapaciteteve të ushtrisë. Qeveria njoftoi dhënien në shfrytëzim për ministrinë e mbrojtjes të 100 hektarëve tokë në Balltavë të Podujevës.
“Do të shfrytëzohet nga Forca e Sigurisë së Kosovës për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë së Kosovës. Kjo pronë është evidentuar si pronë shoqërore e Agjencisë së Pyjeve dhe e njëjta kërkohet të jepet në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim të arritjes së objektivave për investime afatgjate për interesa të veçanta në infrastrukture”, tha ministri i Mbrojtjes, Maqedonci.
“Ushtrinë tonë po e rrisim dhe fuqizojmë. Më shumë dinjitet, kushte, buxhet dhe armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në ditën e ditëlindjes së heroit tonë Zahir Pajaziti kemi bërë pranim-dorëzimin e aeroportit të Dumoshit, ndërkaq sot në datën e rënies së tij do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim të hapësirës në Batllavë. Për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes do të shfrytëzojmë pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës me sipërfaqe prej 100 hektarësh”, deklaroi kryeministri Kurti.
Një tjetër vendim që është marrë nga qeveria e Kosovës ka të bëjë me një ndihmë financiare për popullin palestinez në Gaza.
“Konflikti i ashpër në Gaza ka shkaktuar humbje dhe dhimbje të mëdha për popullin palestinez të cilët përveç kësaj pas kthimit në vendin e tyre po gjejnë shtëpi, lagje dhe qytete të shkatërruar. Në mënyrë që të mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre ata sot kanë nevojë ndihmë nga vendet të tjera. Prandaj MPJD-ja ka kërkuar ndarjen e gjysmë milioni euro për popullim palestinez në Gaza. Qeveria shpreson dhe bënë thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe të drejtë ndërmjet dy shteteve”, shtoi Kurti.
Gjithashtu u konfirmua dhe ndarja e 500 mijë eurove për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për realizimin e projektit për teknologji të numërimit në qendrat komunale të numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve. (A2 Televizion)