Është kohë që Spanja të njohë Kosovën. Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për median spanjolle “El Mundo”. Kurti tha se, Kosova dhe Serbisa nuk kanë asnjë problem bilateral dhe kërkoi që Madridi ta njohë sa më shpejt Prishtinën.
Po ashtu Kurti vuri në dukje se, Kosova dhe Spanja nuk kanë kontakte zyrtare qeveritare mes tyre por vetëm të karakterit personal mes parlamentarëve, shkruan A2 CNN.
“Është paradoksale që Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një vend pro-evropian që kundërshton ndikimin rus, duke mbajtur një pozicion afër Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës. Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes. Mendojmë se do të ishte mirë që Spanja t'i bashkohet shumicës së shteteve evropiane që e njohin Kosovën”, tha Kurti.
Për sa i përket krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kurti përkrahë idenë e përfshirjes brenda vendit të pakicave dhe jo krijimit të enklavave të mbyllura.
“Qëndrimi ynë ka qenë se ne kemi nevojë për përfshirje brenda vendit dhe për të ofruar të drejta dhe mbrojtje të gjera për pakicën serbe, në vend që të nxitim enklavat e mbyllura. Kosova ka mbrojtje të fuqishme për pakicat, duke përfshirë vende të garantuara parlamentare për të gjitha grupet minoritare. Komunitetet joshumicë kanë të drejtën e vetos mbi ligjet jetike dhe amendamentet kushtetuese dhe gëzojnë kuota për të gjitha emërimet e rëndësishme shtetërore dhe pozitat e tjera në sektorin publik, duke përfshirë policinë”, shtoi Kurti.
Kurti përmend rrezikun e destabilitetit të Ballkanit i cili vjen nga lufta e Putin në Ukrainë. Për Kryeministrin e Kosovës, objektivi i Putin është i qartë: të përdorë Serbinë për të destabilizuar Ballkanin. Kurti shkon edhe më tej kur thekson se, Serbia dhe Republika Srpska mund të bashkohen.
“Është e mundur. Serbia dhe Republika Srpska tregojnë përafrim të rëndësishëm me Moskën, duke përdorur koncepte të tilla si "Bota Serbe" për të justifikuar zgjerimin e tyre ideologjik dhe politik. Në mungesë të integrimit evropian, këto territore mund të konsolidojnë më tej lidhjen e tyre me Rusinë, duke destabilizuar rajonin”, tha më tej Kurti.
Në përfundim, Kurti vuri në dukje rëndësinë e pranisë së KFOR në Kosovë, për aq kohë sa Serbia dhe Rusia vijojnë të nxisin tensione në rajon. (A2 Televizion)