“Vota jote për Kosovën 2025”, KQZ mbyll 3 vendvotime në diasporë, miratohet slogani

Nga A2 CNN
28 Janar 2025, 20:56 | Politikë

Tri qendra votimi në diasporë janë mbyllur. Vendimi është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke prekur kështu përfaqësitë diplomatike në Kanbera të Australisë, Ankara të Turqisë dhe Iowa në Shtetet e Bashkuara. Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, arsyetoi dhe vendimin dhe sqaroi votuesit e Kosovës se si mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime. 

“Pra, bëhet fjalë për Kanbera në Australi, e cila ka pas 18 votues të regjistruar, bëhet fjalë për Ankaranë në Turqi me 25 votues të regjistruar për votim fizik dhe Ioëa në ShBA me 32 votues të regjistruar për votim fizik...Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tre përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë në kuti postare në vendin përkatës”, tha Elshani.

Gjithashtu është miratuar dizajni dhe sloganin për fushatën e informimit publik.

“Kemi rekomandim për dizajn dhe sloganin që do të përdorët për këto zgjedhje...Slogani është ky “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, vota jote për Kosovën 2025, ky është slogani”, shtoi anëtari i KQZ, Elshani.

KQZ ka akredituar vëzhguesit e dhjetëra përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare. Në mesin e të akredituarve ishin edhe organizata jo-qeveritare vendore dhe vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos