
Gjatë protestës që po zhvillohet pranë Parlamentit, si pasojë e goditjes me sende të forta nga protestuesit, u dëmtuan 6 punonjës të Policisë së Shtetit të cilët po marrin trajtim mjekësor në spital.
Protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit në zonën e Pedonales. Policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e turmës, ndërkohë që protestuesit janë kundërpërgjigjur duke goditur me vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të uniformave blu.
Përplasjet nisën pasi protestuesit tentuan të çajnë kordonin policor, me qëllim për t’u zhvendosur në drejtim të godinës së Kuvendit, ku zhvillohet seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar.
Dy protestues raportohet se kanë mbetur të lënduar, të cilët u transportuan nga ambulanca në spital.
Në protestën e të enjtes, “blutë” vendosën dy perimetra sigurie, duke mos lejuar protestuesit që të stacionohen para Kuvendit.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e 54-t. Në mbrëmje është parashikuar sërish mbledhja e protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. (A2 Televizion)