Ndërhyrja në zgjedhje, "Octopus": Serbia po përpiqet përmes luftës hibride

Nga A2 CNN
28 Janar 2025, 20:49 | Politikë

Serbia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 9 shkurt. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” me temën “Ndërhyrja e huaj në zgjedhje dhe ndikimi i saj në sigurinë kombëtare dhe demokraci”.

Lufta hibride e Serbisë kundër Kosovës që përfshin aktivitete të kombinuara që minojnë rendin demokratik, u përkufizua si ndërhyrje politike, ekonomike por edhe cenim i sigurisë.  

Lista Serbe, për të cilën Beogradi zyrtar po kontribuon që t’i fitojë të dhjetë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, u cilësua si një ombrellë e maskuar legalisht për aktivitete hibride.

“Me ngulfatjen e demokracisë te komuniteti serb dhe ma narrativa mashtruese që thellojnë ndarjet etnike në Kosovë, Serbia vazhdon të jetë kërcënim serioz edhe për sigurinë nacionale. Pavarësisht faktorëve historikë e socialë që e pengojnë ndërhyrjen direkte të Rusisë, Kosova nuk mund ta fitojë normalizimin me Serbinë derisa Lista Serbe të jetë etniteti politik që i përfaqëson serbët e Kosovës”, tha drejtori i Octopus, Arben Fetoshi.

Qytetarëve serbë të Kosovës iu kërkua të jenë të kujdesshëm në zgjedhjet e 9 shkurtit në mënyrë që të mos zhgënjehen dhe të rëndohet edhe më tej situate e tyre.

“Lista Serbe është organizatë e cila funksionon në frikësimin e qytetarëve dhe e cila propagandon politikën serbe dhe në krijimin e ‘botës serbe’ të Vuçiçit. Ideja është që përmes Listës Serbe të krijohet interesi gjeopolitik i Beogradit dhe të zgjerohet ndikimi i Serbisë në Kosovë dhe të destabilizohet rregullimi kushtetues i Kosovës”, shtoi gazetari serb, Radomir Dimiç.

Ambasadori finlandez në Kosovë, Mati Nissinen, tha Kosova mund të mësojë nga përvojat e vendit të tij për të ballafaquar me luftën hibride.

“Në Kosovë, lufta hibride manifestohet përmes fushatave të dezinformimit, narrativave false që synojnë ndarjet etnike dhe të minojnë besimin tek institucionet e Republikës së Kosovës, narrative që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, mund të cenohet infrastruktura kritike për shembull siç ishte sulmi i fundit në Zubin Potok që demonstron nevojën për masa të përmirësuara të mbrojtjes”, deklaroi ambasadori finlandez, Matti Nissinen.

Në tryezë u theksua edhe përhapja e lajmeve të rrejshme që synojnë të paraqesin një panoramë krejt tjetër të serbëve të Kosovës, kryesisht ata në veri, që lidhet me fushata të spastrimit etnik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos