28 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Osmani: Kujtojmë sakrificën, trimërinë dhe guximin e tij

Nga A2 CNN
31 Janar 2025, 20:29 | Politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të luftës së UÇK-së, Zahir Pajaziti, me rastin e 28 vjetorit të rënies së tij dhe dy heronjve të tjerë Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Osmani kujtoi sakrificën, trimërinë dhe guximin e heronjve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, derisa u shpreh se “ata u bënë lajmëtarët e lirisë dhe inspiruan breza të tëra të UÇK-së t’i bashkohen luftës çlirimtare”.

“Sot së bashku me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sovrane, të lirë e të pavarur kujtojmë sakrificën e jashtëzakonshme, trimërinë dhe guximin e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, i cili me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha u bënë lajmëtarët e lirisë tonë, të cilët dhanë jetën jo vetëm për lirinë e Kosovës, por në të njëjtën kohë inspiruan dhe breza të tërë të UÇK-së t’i bashkohen luftës tonë çlirimtare.

Të luftojnë për Kosovën, për popullin e saj, për lirinë e kësaj toke deri në çlirim përfundimtar i cili erdhi në qershor 1999. Ideali për të cilin luftoi Zahir Pajaziti me shokë duhet të na shërbejë sidomos ne ditët e sotme, sepse liria e sovraniteti nuk janë të mirëqena. Ato vazhdimisht duhet të mbrohen e të mirëmbahen”, tha Osmani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos