Zgjedhjet parlamentare, merret vendimi për 942 qendra votimi, në veri votohet në shkolla

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2024, 20:13 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 942 qendra votimi që do të shfrytëzohen përzgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.  

Ndryshe nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore dhe referendumi për largimin e tyre të cilat ishin mbajtur në kontejnerë ose në objekte komunale, në procesin e radhës në veri do të mbahet në shkolla.

KQZ tha se është sfiduar me mbylljen e disa shkollave ku më parë qytetarët kishin mundësi të votonin. 

“Jemi përballur me një sfidë të mbylljes së disa qendrave të votimit për shkak të kushteve të cilat gjenden disa shkolla në disa fshatra, bëhet fjalë për një shkollë në Kaçanik, një shkollë tjetër nëMitrovicë të Jugut dhe një tjetër në Leposaviq”, u shpreh Arianit Elshani.

Komunave iu kërkua që të mirëmbajnë objektet shkollore, pasi edhe ligji kërkon që qendra e votimit të mos jetë më larg se 3 kilometra nga vendbanimi i votuesit. 

Mungesa e mirëmbajtjes nënkupton degradimin, shkatërrimin e tyre, dhe kjo për ne përbën problem se nuk kemi lokacione të tjera ku t’i organizojmë votimet në ato fshatra”, tha Alban Krasniqi.

Një tjetër risi që vjen në zgjedhjet parlamentare të shkurtit është që qytetarët nuk do të kenë mundësi të votojnë me kusht në të gjitha qendrat e votimit por vetëm në një në secilën komunë. Kjo u tha se është bëre për të inkurajuar qytetarët që të votojnë në qendrat e tyre të votimit.

“Qytetarët në të kaluarën kanë pasur mundësi që të votojnë me kusht në çdo qendër të votimit kësaj radhe KQQ për shkaqe operacionale, por edhe për shkaqe që qytetarët të marrin mundin që të alokohen në vendvotimet e tyre që i kanë afër shtëpisë së tyre, kemi mbyllur këto votime me kushte dhe kemi mundësuar që këtë të zhvillohet vetëm në një qendër të votimit”, shton Elshani.

Në mbledhjen e së premtes, KQZ mori vendim për të regjistruar edhe një tjetër parti politike, Bashkimi Demokratik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos