Vuçiç pret gjeneralin e BE, më pas i qahet Rusisë për Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
2 Shkurt 2024, 11:08 | Kosova

Vuçiç pret gjeneralin e BE, më pas i qahet Rusisë

Kryetari i Komitetit Ushtarak i Bashkimit Europian zbarkoi në Beograd. Gjenerali Robert Brieger zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kryetemë e bisedës së tyre ishte situata me Kosovën, por diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-ushtarak dhe teknik mes Serbisë dhe BE-së.

“Theksova se për vendin tonë siguria e popullatës serbe në Kosovë e Metohi dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon janë prioritet. Falënderova forcat ushtarake europiane për angazhimin e tyre në këtë drejtim”, tha Vuçiç.

Me të mbaruar me ushtarakun europian, Vuçiç kërkoi mbështetje në shpatullën e Rusisë. Presidenti serb takoi ambasadorin e Putinit në Beograd, Aleksandër Boçan Kharçenko, me të cilin diskutoi për zhvillimet në Kosovë, me fokus të veçantë rregullatoren e re për dinarin serb: “E informova ambasadorin Bocan-Kharchenko për lëvizjen e fundit të njëanshme të Prishtinës, të drejtuar qartë kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi, si dhe për pasojat e mundshme të këtij akti të papërgjegjshëm të regjimit të Kurtit. Gjithashtu, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse, si dhe çështje të tjera rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët”.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, pasi kërcënoi me reagim të ashpër ndaj Kosovës për marrëveshjen me ushtrinë e Turqisë, ka zbutur gjuhën e tij. Tashmë, thotë se kthimi i shërbimit ushtarak me detyrim nuk po bëhet për shkak të situatës në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos