
Shteti dhe komunitetet fetare nga viti 1948 është një prej kapitujve më të errët të së shkuarës sonë. Atë kohë, kisha, xhami e çdo ndërtesë tjetër e besimeve fetare u shndërrua në ambient sportiv, në sallë për mbledhje për “Nënën Parti”, ose më e trishta, u rrënua plotësisht.
Kështu u zvarrit e u bë shkas për torturë edhe çdo shërbesë e besimit te shqiptarët. Këto janë historitë që na dokumentohen nga Beqir Meta, Afrim Krasniqi e Hasan Bello përmes publikimit më të fundit të Institutit të Historisë.
“Ka qenë një shoqëri që ndaloi Zotin, një ekstrem i madh dhe kjo është arsyeja që ne e zgjodhëm”, thotë autori Afrim Krasniqi.
Po, këto histori të rrëfyera përmes fakteve kanë lënë ende vraga në shoqërinë tonë, një shoqëri që sipas studiuesve nuk po përpiqet të shërohet nga e shkuara, një shoqëri ku historia shkruhet jo pak nga politika, ku arsimi nuk ka interes për t’ia treguar këto të vërteta brezit të ri.
Ditët e kujtesës janë ditët ku jo vetëm publikohet, por edhe ditë për të dhënë mesazhe të tilla, ndaj edhe thirrja në këtë takim ishte të mos e harrojmë këtë raport të errët të komunizmit me religjionin. (A2 Televizion)