Nga e hëna rinisën aktivitetin edhe baret e restorantet në ambiente të hapura, pas një pezullimi prej mbi dy muajsh. Ofrimi i shërbimit do të lejohet vetëm duke respektuar protokollin e sigurisë, që parashikon distancë minimale midis tavolinave, dezinfektimin e duarve për klientët dhe stafin, si dhe matjen e temperaturës për këta të fundit në fillim dhe në fund të turnit.
“Së pari masat që kemi marrë janë vendosja e maskës, dorezave; dezinfektimi i të gjithë ambientit, me tavolina dhe sipërfaqe metalike, si dhe matja e temperaturës kur vijmë dhe kur ikim. Me këto masa që kemi marrë besoj nuk ka vend për frikë”, shprehet një kamerier.
Nga ana tjetër qytetarët duken më pak të kujdesshëm në respektimin e masave shëndetësore, duke mos vendosur maskat dhe dorezat, por deklarojnë se do ta kompensojnë me shkurtimin e qëndrimit në lokal.
“Patjetër që e kemi frikën. Kemi qëndruar ca, por do të ikim tani, nuk do ta zgjasim qëndrimin”, deklaron një klient.
Ashtu si për shumë kategori të tjera biznesesh, konsumi do të jetë problemi kryesor për lokalet dhe restorantet. Vetë masat reduktojnë ndjeshëm hapësirën për shërbim, ndërsa kufizimi i orarit e bën të pamundur rikthimin në punë të të gjithë stafit.
“Duke nisur nga masat mbrojtëse, distanca e tavolinës, puna nuk është më e njëjtë. Ka shumë rënie. Nga 4 pjesëtarë të stafit që kemi qenë, do të punojmë 2 veta një ditë dhe 2 veta ditën tjetër”, deklaron një kamerier.
“Po punojmë vetëm me pjesën jashtë, pjesa brenda është e mbyllur. Nuk kemi as 30% të kapacitetit. Nuk e dimë se si do të shkojë, pasi kemi pasur edhe shkurtime në staf. Por njerëzit tani duhet të ndërgjegjësohen, sidomos klientët që kalojnë shumë kohë në tavolinë, pasi aq tavolina sa kemi duhen shfrytëzuar”, shprehet një kameriere.
Lokalet plotësojnë kështu pazëllin e rihapjes graduale të ekonomisë, ku të pezulluara mbeten vetëm klubet e natës, aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura dhe transporti publik. (A2 Televizion)