Prej një jave i gjithë territori i vendit është mbërthyer nga vala e acartë siberiane. Në kushtet e të ftohtit jo të zakontë mjekët flasin për efektet nga temperaturat e ulëta në shëndet.
Ftohja, shfaqja e astmës, infeksionet pulmonare, përkeqësimi i sëmundjeve kronike dhe kardiovaskulare janë problemet që shfaqen nga i ftohti dhe qëndrimi i gjatë në temperature të ulëta.
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare tregon se vala e acartë siberiane nuk ka shkaktuar viktima në vendin tonë.
Por këtë javë që është shënuar kulmi i të ftohtit nuk kanë munguar thirrjet për ndihmë, kryesisht nga traumat që kanë shkaktuar ngricat dhe rrëshqitjet në rrugë.
Veshje të trasha, ushqime dhe sa më shumë lëngje të ngrohta është këshilla që vjen nga mjeket në këto ditë të ftohta dimri.
Në këtë periudhë të dimrit në Urgjencën Kombëtare mbizotërojnë telefonatat dhe shqetësimet nga gripi.
Kreu i Urgjencës thotë se virozat respitarore dhe gripi janë në pikun e qarkullimit dhe kanë rritur sëmundshmërinë në popullatë. Ndërsa rastet me Covid mbeten shumë më të ulëta në raport me virozat dhe problemet nga i ftohti i dimrit (A2 Televizion)