Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka njoftuar “të gjithë pasagjerët të cilët kanë për të udhëtuar nga TIA në datë 6 dhjetor, që të jenë në aeroport 4 orë para fluturimit të tyre për shkak të masave të marra per samitin BE-Ballkani Perëndimor”.
“Kjo prezencë kërkohet në mënyrë që pasagjerët mos të rrezikojnë humbjen e fluturimit të tyre”, lexohet në njoftimin e TIA-s.
Javën e kaluar, Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen në Tiranë për sigurimin e mbarëvajtjes së samitit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, më 6 dhjetor. Bllokimi nis nga e hëna, në orën 14:00 dhe zgjat deri të martën pasdite, pas largimit të delegacioneve të liderëve europianë.
Për garantimin e sigurisë së personaliteteve të larta europiane pjesëmarrëse në të, perimetri i sigurisë do të përfshijë Stadiumin “Air Albania”, Pallatin e Kongreseve dhe godinën e kryeministrisë dhe gjithë zonën përreth. (A2 Televizion)