Sezoni 1 miliardë euro/ Turistët e huaj shpenzuan këtë verë më shumë para se kurrë

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2022, 14:51 | Ekonomi
Sezoni 1 miliardë euro/ Turistët e huaj shpenzuan këtë

Turistët e ardhur këtë verë në Shqipëri shpenzuan para’ më shumë se kurrë më parë. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun e muajve korrik-shtator, që përkon edhe me pikun e sezonit, të huajt harxhuan plotë 1 miliardë euro, duke regjistruar kështu një rekord historik.

Kjo ecuri lidhet kryesisht me numrin e të huajve që vizituan Shqipërinë këtë vit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve korrik-shtator në vend hynë mbi 3.8 milionë turistë, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë.  

“Kjo ishte e pritshme për shkak se për dy vite njerëzit u bllokuan nga pandemia, dhe çlirimi nga ajo gjeneroi më shumë shpenzime. Arsyeja e dytë lidhet me shtimin e linjave “low cost”, që u përkthye me “bum” turistësh.”

Flora Xhemani Baba, eksperte e turizmit

Rritja e çmimeve me rreth 20 për qind në thuajse gjithë zinxhirin përbërës të turizmit veror, ka dhënë kontributin e vet në të ardhurat e kënaqshme. Ekspertët tregojnë edhe se ku kanë shkuar më së shumti këto para’.

“Të ardhurat janë ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes udhëtimit, akomodimit dhe gastronomisë. Gjithashtu ca para’ kanë shkuar edhe për ekskursionet. Sektorët e tjerë të lidhur me turizmin kanë fituar gjithashtu.”

Flora Xhemani Baba, eksperte e turizmit

Në linjë të ngjashme me të dhënat në harkun korrik-shtator paraqiten edhe shifrat për 9-mujorin e këtij viti. Paratë e shpenzuara nga turistët në harkun e muajve janar-shtator, arritën në 2.2 miliardë euro duke u rritur ndjeshëm krahasuar me vitet paraardhëse.

Ndërkohë, në po të njëjtin hark kohor Shqipërinë e vizituan mbi 6.4 milionë turistë, duke tejkaluar edhe 2019-n, vlerësuar si viti më i mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos