Në ceremoninë e organizuar në garnizonin “Skënderbej” në nder të 112-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri thirrje për modernizim dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve operacionale të ushtrisë shqiptare.
Vengu tha se kërcënimet për Shqipërinë dhe rajonin po bëhen gjithnjë e më të prekshme ndaj Forcat e Armatosura duhet të jenë të përgatitura për çdo sfidë.
“Sot, 112 vite pas aktit të themelimit, 80 vite pas aktit të rezistencës, 15 vite pas aktit të konfirmimit të vokacionit tonë euro-atlantik, teksa gëzojmë të gjithë së bashku të mirat e sigurisë kolektive që ofron Aleanca më e suksesshme në historinë moderne, ndërkohë që përballemi me kërcënime të reja, të cilat nuk janë vetëm në horizont por bëhen gjithnjë e më të prekshme, sot pra, na duhet të mendojmë për vazhdimësinë dhe për misionin, për kombin dhe aspiratat e tij. Në këto 10 vite, është bërë një punë e lavdërueshme dhe e gjithanshme për t’u forcuar, për t’u modernizuar. Por kemi ende shumë punë për të bërë. Sot, ushtarët, nënoficerët, oficerët shqiptar, janë më të përgatitur, më të mirë trajnuar e arsimuar, më të mirë pajisur, dhe me të mirë trajtuar. Në këtë kontekst, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë, ndaj të gjithë aleatëve e partnerëve që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në modernizimin e Forcave tona të Armatosura”, tha ministri Vengu, i cili nuk harroi të kujtojë ushtarakët e rënë në krye të detyrës. (A2 Televizion)