5 vite e shkarkuar, KPA kthen në detyrë prokuroren Sevdari pas fitores në Strasburg

Nga Armand Bajrami
10 Maj 2024, 16:22 | Aktualitet

“Jam e emocionuar. Është ditë shumë e rëndësishme për mua si personalisht, si profesionalisht. Ndjehem e gëzuar që më në fund arrita të marrë drejtësinë, që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e përkushtuar në shërbim të saj.”

Antoneta Sevdarit 10 maji nuk do t’i kujtojë vetëm Ditën Kombëtare të Drejtësisë. Gati 5 vjet pasi u shkarkua nga detyra e prokurores me një vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Shkallës së Dytë të procesit të vettingut, ish-anëtarja e KLP, u kthye sërish në radhët e prokurorisë.

Vendimi u shpall nga një trupë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që rigjykoi vendimin e shpallur më herët nga një tjetër pesëshe e KPA në shkurt 2019, largoi Sevdarin nga sistemi i drejtësisë.

Ndonëse vendimet e KPA janë të paankimueshme brenda vendit, çështja e prokurores Sevdari u rishqyrtua në KPA, pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje në vendimin e shkarkimit të saj nga detyra. Sipas Strasburgut, në rastin e Sevdarit ishte cenuar neni 8 i Konventës, që flet për respektimin e të drejtës e respektimit të jetës private e familjare.

Në arsyetimin e vendimit të së premtes, Kolegji tha se vendimmarrjet e Strasburgut janë të detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar.

“Për sa kohë lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës disiplinore “shkarkim nga detyra”  është çmuar nga GJEDNJ se ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit të subjekti të rivlerësimit Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë”.

Në të njëjtin vendim, që i hapi dritë jeshile kthimit në sistemin e drejtësisë të Antoneta Sevdari, Strasburgu nënvizonte se rasti i prokurores ishte i veçantë dhe nuk sugjeron për ndonjë problem sistemik në procesin e vetingut.

Nga ana tjetër, vendimi ndaj ish-anëtares së KLP, përbën të parin rast kur një vendimmarrje e organeve të vettingut ndryshon, për pasojë të një verdikti të Strasburgut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos